Lushnja\ Foto: Facebook

Bashkia Lushnjë tërheq financimin për librin me titull diskriminues

Këshilli Bashkiak i Lushnjës financoi në janar të këtij viti botimin e një libri me titull “Dashuria e një Jevge”.

Pas protestave të aktivistëve për të drejtat e njeriut, vendimi i financimit u tërhoq, por kryetarja e Këshillit Elida Gjermeni thotë se titulli diskriminues nuk ishte arsyeja e tërheqjes së financimit.

Bashkia e Lushnjës vendosi të përdorë fondin e vet rezervë për të financuar 100 mijë lekë për botimin e një libri të një autori me emrin Bashkim Xhafa, por vendimi u kritikua ashpër nga një grup aktivistësh për të drejtat e njeriut, të cilët e konsideruan si diskriminues titullin “Dashuria e një Jevge”.

Lëvizja Rinore Egjiptiane dhe Rome (LRER), një organizatë për të drejtat e njeriut me bazë në Elbasan, u ankuan te Komisioneri Kundër Diskriminimit për vendimin e këshillit bashkiak të Lushnjës me argumentin se financimi me fonde publike të librave të tillë diskriminues është tregues se diskriminimi i romëve dhe egjiptianëve është i ngulitur fort në institucionet shqiptare.

Por paralelisht me ankesën e LRER, Prefektura e Fierit nuk e konfirmoi vendimin e Këshillit Bashkiak pasi vlerësoi si shkelje përdorimin e fondit rezervë për botimin e një libri. Fondi rezervë i një buxheti publik zakonisht përdoret për shpenzime emergjente, të tilla si ndihma në rast katastrofash natyrore apo mbulimin e shpenzimeve të domosdoshme dhe të paplanifikuara.

Kryetarja e Këshillit Bashkiak të Lushnjës Elida Gjermeni, e cila i përket Partisë Socialiste, tha për BIRN se ajo vetë dhe disa këshilltarë të tjerë nuk kanë qenë dakord me financimin e një libri, por sipas saj, vendimi mori shumicën e votave në mbledhjen e 26 janarit.

Ajo e hodhi poshtë idenë se përdorimi i fjalës “jevg” përbën diskriminim.

“Unë dhe të tjerë nuk kemi qenë dakord për të mbështetur një libër nga fondi rezervë. Vërtet Këshilli Bashkiak mund të ndihmojë një krijues me kontribute por nuk ishte ky rasti. Në asnjë rast nuk është diskutuar titulli i këtij libri pasi për mua personalisht nuk konsiderohet diskriminues. Janë fjalë që ne i përdorim dhe nuk mund të themi se diskriminojnë”.

Përdorimi i fjalës “jevg” konsiderohet gjerësisht si fyes dhe diskriminues ndaj minorancës rome dhe egjiptiane, por znj. Gjermeni mendon ndryshe dhe disa zyrtarë e persona të tjerë gjatë viteve të fundit janë detyruar të kërkojnë ndjesë për përdorimin e fjalëve të tilla.

Më 20 prill, Këshilli Bashkiak i Lushnjës mori vendimin për anulimin e vendimit të financimit të librit, por në vendim nuk shpjegohen arsyet e anulimit.

Pavarësisht arsyeve të anulimit, LRER shprehet e kënaqur me rezultatin.

Marrë nga reporter.al