Mbi 32 mijë euro avanse të paarsyetuara në Ministrinë e Kulturës

Zyrtarë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit nuk i arsyetojnë avanset e udhëtimeve zyrtare. Edhe në raste kur bëjnë arsyetim, atë e bëjnë me vonesa të shumta.

Zyra Kombëtare e Auditimit, në Raportin e saj për pasqyrat vjetore financiare të MKRS për 2019, ka gjetur se vlera e avanseve të paarsyetuara në fund të vitit 2019, sipas ZKF ishte 32,499 euro,  ku prej tyre kishte avanse të paarsyetuara që nga viti 2010.

“Nga mostrat e testuara, në dy raste kemi vërejtur se avanset nuk ishin arsyetuar dhe mbyllur brenda afatit ligjor prej 15 ditësh pas kthimit nga udhëtimi zyrtar. Pagesa e avansit në vlerë 2,195€ ishte mbyllur me 42 ditë vonesë pas afatit të lejuar, ndërsa pagesae  avansit në vlerë 1,212€ nuk ishte mbyllur që nga viti 2014. Vlera e avanseve të paarsyetuara në fund të vitit 2019 sipas ZKF ishte 32,499 euro, ku prej tyre kishte avanse të paarsyetuara që nga viti 2010”, thuhet në raport.

Auditori konstaton se, sipas Udhëzimit Administrativ nr.2004/07, për shpenzimet e udhëtimeve zyrtare, të gjitha avanset duhet të arsyetohen dhe shumat e pashpenzuara të kthehen në afat prej 15 ditësh pas kthimit nga udhëtimi. Rregulli i njëjtë vlen edhe për shpenzimet e realizuara përmes kredit kartelave.

Mos arsyetimi i këtyre avanseve të sipas auditorit, ka ardhur si rezultat i neglizhencës së zyrtarëve edhe mos ndërmarrjes së veprimeve ligjore nga zyrtarët financiar për kthimin e mjeteve.

Mos arsyetimi i shpenzimeve të udhëtimeve dhe mos-mbyllja e avanseve, sipas auditorit, rritë rrezikun që paratë publike të jenë përdorur në kundërshtim me qëllimet e synuara, rregullat e aplikueshme apo keqpërdorim të parasë publike.

“Ministri duhet të ndërmarrë të gjitha veprimet, që personat që i kanë arsyetuar avanset që nga viti 2010 deri në fund të vitit 2019, t’i kryejnë barazimet me shërbimin e financave dhe të kontabilitetit. Në rast se nuk i posedojnë dëshmitë e duhura për arsyetimin e avanseve, atëherë shumat e tërhequra për këtë qëllim, të kthehen në tërësi brenda një periudhe tremujore. Në të kundërtën, të ushtrojë padi gjyqësore kundër të gjithë personave për kthimin e këtyre parave. Gjithashtu, ministri duhet të vendos kontrolle strikte që avanset e dhëna në të ardhmen, të arsyetohen brenda afateve të përcaktuara ligjore”, thuhet në rekomandimin e auditorit.