AKP-ja vendosi kritere diskriminuese në tender

Auditori ka gjetur shkelje nëpër tenderë në Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Kjo Agjenci kishte shpërblyer me kontratë operatorët që nuk i plotësonin kushtet dhe kishte vendosur kritere diskriminuese në një tender tjetër.

Në dosjen e tenderit “Regjistrimi i aseteve – dokumentimi vizual i aseteve në administrimin e Agjencisë” te pjesa mundësitë teknike/profesionale ishte kërkuar si dëshmi që OE të ofrojnë kontrata të realizuara për tri vitet e fundit si dhe minimumi tri referenca për kontratat e përfunduara me sukses para njoftimit për kontratë.

“Ne kemi vërejtur se OE i shpërblyer me kontratë kishte dorëzuar vetëm dy referenca për kontrata të realizuara dhe një referencë për kontratën që ende ishte duke e zbatuar, që nënkuptohet se nuk ishin tri referenca. Kjo situatë ishte reflektuar nga pakujdesia e anëtarëve të komisionit të vlerësimit dhe mbikëqyrjes së procesit të vlerësimit nga departamenti i prokurimit”, thuhet në raportin e Auditorit për pasqyrat financiare të AKP-së për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2019.

Kjo ishte në kundërshtim me ligjin e Prokurimit Publik, meqë neni 59 paragrafi 4 thekson se Autoriteti Kontraktues do të konsiderojë një tender si të përgjegjshëm vetëm nëse tenderi në fjalë është në përputhshmëri me të gjitha kërkesat e parashtruara në njoftimin e kontratës/dosjes së tenderit.

Përvec kësaj, Auditori ka gjetur se në një rast, AKP-ja kishte vendosur kritere diskriminuese dhe në kundërshtim me Ligjin.

“Në dosjen e tenderit “Angazhimi i OSHP-së për procesin e likuidimit për të gjitha NSH-të/asetet nën administrimin e AKP”, është kërkuar qarkullim financiar prej 10,000,000€ në 3 vitet e fundit. Vlera e parashikuar e kontratës ishte 4,000,000€. Sipas LPP-së, kërkesa e AK për qarkullim minimal vjetor nuk duhet të jetë më e lartë se dyfishi i vlerës së parashikuar të kontratës. Pra është dashur të kërkohet qarkullimi financiar prej 8,000,000€”, është një nga të gjeturat e auditorit në raportin financiar të AKP-së.

Auditori ka theksuar se anashkalimi i rregullave të prokurimit lidhur me vlerësimin e tenderëve ndikojnë direkt në vonesa në furnizim me mallrat/shërbimet e nevojshme.

“Po ashtu vendosja e kritereve të larta lidhur me qarkullimin financiar mund të ndikojë në kufizimin e OE potencial për pjesëmarrje në tender”, ka thënë ai.

ZKA ka rekomanduar që kryesuesi i bordit duhet të siguroj se menaxhimi i proceseve të prokurimit në vlerësimin e tenderëve realizohet sipas afateve të parapara me qëllim që furnizimi të mund të realizohet në kohën e duhur, po ashtu edhe kriteret e vendosura në dosjen e tenderit nuk duhet të tejkalojnë kufizimet e përcaktuara me rregullat e prokurimit.

Në lidhje me këto gjetje, drejtori i AKP-së, Valon Tolaj është pajtuar dhe nuk ka pasur ndonjë koment për përmbajtjen e raportit.