Kremtimi i të arriturave në përfaqësimin e grave në gjyqësorin e Kosovës

Reflektime për Ditën Ndërkombëtare të Grave Gjyqtare

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Grave Gjyqtare, një festë vjetore e kontributeve jetike të grave në gjyqësor dhe një rikujtim i rëndësisë së arritjes së diversitetit gjinor në profesionin ligjor. Dita u shënua për herë të parë nga Shoqata Ndërkombëtare e Grave Gjyqtare në vitin 1999 dhe që atëherë festohet çdo vit në mbarë botën.

Historikisht, gratë janë përballur me barriera të ndryshme për t’u kyçur në profesionin ligjor dhe për t’u ngritur në rangun e gjyqësorit, si në nivel botëror ashtu edhe në Kosovë. Edhe pse gjyqësori i Kosovës është relativisht i ri, gratë e Kosovës kanë qenë të nënpërfaqësuara dhe janë përballur me sfida të ngjashme si shumë gra të tjera në botë. Këto barriera përfshijnë diskriminimin dhe paragjykimet, mungesën e qasjes në arsim dhe trajnim, dhe stereotipe gjinore që i bëjnë gratë të përceptohen si më pak kompetente ose më pak të përshtatshme për lloje të caktuara të punës ligjore. Të gjithë këta faktorë kanë kontribuar në krijimin e një gjyqësori,  ku burrat dominojnë pozitat drejtuese. Megjithatë, viteve e fundit ka pasur një rritje të njohjes së rëndësisë së pjesëmarrjes së grave në gjyqësor dhe përpjekje për të rritur përfaqësimin e tyre.

Për të adresuar këto çështje, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) dhe akterët e tjerë shtetërorë dhe joshtetërorë janë duke punuar për të promovuar diversitetin gjinor dhe barazinë në profesionin ligjor. Kjo përfshin ofrimin e mundësive të trajnimit dhe mentorimit për gratë avokate dhe përpjekje për të eliminuar paragjykimet gjinore dhe diskriminimin në profesionin ligjor.

Pavarësisht sfidave, Kosova ka përparuar dukshëm në arritjen e diversitetit gjinor në gjyqësor. Gratë tani janë të përfaqësuara në sektorin e drejtësisë, me rreth 34.5% të gjyqtarëve, sipas të dhënave zyrtare të KGJK-së. Gjithashtu, gratë përbëjnë 61.6% të personelit ndihmës gjyqësor. Ky trend pozitiv është vërejtur në tre vitet e fundit, ku 241 nga 455 vende të reja pune të krijuara u plotësuan nga gra, që përbën 53% të totalit të të punësuarve të rinj.

Kjo rritje e pjesëmarrjes së grave në gjyqësor ështëshenjë inkurajuese për barazinë gjinore në Kosovë dhe reflekton përkushtimin e vendit për promovimin e të drejtave të grave dhe krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë.

Ka shumë faktorë dhe përpjekje që kanë kontribuar në këtë zhvillim. Një nga faktorët kryesorë që nxit këtë progres ka qenë zbatimi i masave të përfaqësimit gjinor për emërimet në drejtësi. Në vitin 2010, Kosova ndryshoi ligjet bazike që rregullojnë  gjyqësorin për të paraqitur së pari kërkesën që përbërja e gjyqësorit të pasqyrojë parimet e barazisë gjinore të përfshira në Kushtetutë. Kjo ka ndihmuar në rritjen e numrit të grave në gjyqësor dhe për të siguruar që gratë gradualisht të përfaqësohen në pozitat vendimmarrëse brenda gjyqsorit.

Kjo rritje e pjesëmarrjes së grave në gjyqësor është e rëndësishme për disa arsye. Së pari, ndihmon që gjyqësori të pasqyrojë diversitetin e komuniteteve të cilave u shërben. Kjo mund të ndihmojë në rritjen e besimit të publikut në sistemin ligjor, pasi njerëzit kanë më shumë gjasa ta shohin veten të përfaqësuar në gjykata dhe të ndjejnë se zëri i tyre po dëgjohet.

Së dyti, pjesëmarrja e grave në gjyqësor ndihmon në promovimin e barazisë gjinore dhe të drejtave të grave. Gjyqtaret gra kanë më shumë gjasa të mirëkuptojnë çështjet që prekin në mënyrë disproporcionale gratë, si dhuna në familje, sulmet seksuale dhe diskriminimi gjinor.

Së treti, pjesëmarrja e grave në gjyqësor ka ndikim pozitiv në cilësinë e drejtësisë. Studimet kanë treguar se grupe të ndryshme priren të marrin vendime më të mira se grupet homogjene pasi ato sjellin një gamë më të gjerë perspektivash dhe përvojash në tryezë. Kur gratë përfaqësohen në gjyqësor, ky i fundit promovon një proces të larmishëm dhe gjithëpërfshirës të vendimmarrjes që mund të çojë në gjykime më të balancuara, të informuara dhe të drejta. Për më tepër, përfaqësimi i grave në gjyqësor mund të ndihmojë gjithashtu në rritjen e besimit të publikut në sistemin e drejtësisë, veçanërisht në mesin e grave dhe komuniteteve të margjinalizuara që mund të mendojnë se zëri i tyre nuk po dëgjohet ose se të drejtat e tyre nuk kuptohen dhe nuk mbrohen[1].

Së fundi, gratë gjyqtare mund të luajnë një rol jetik në promovimin e drejtësisë me qendwr qytetarin duke promovuar qasjen në drejtësi dhe duke mbrojtur të drejtat e grupeve të margjinalizuara dhe të cenueshme, përfshirë gratë, fëmijët dhe pakicat. Nëpërmjet punës së tyre, gratë gjyqtare mund të ndihmojnë në ndërtimin e besimit në sistemin e drejtësisë dhe të demonstrojnë vlerën e një sistemi që u përgjigjet nevojave dhe shqetësimeve të njerëzve të zakonshëm. Prandaj, përfshirja e më shumë grave gjyqtare në gjyqësor mund të ndihmojë për të siguruar që drejtësia të jetë vërtetë për të gjithë, dhe jo vetëm për disa të privilegjuar.

Gjyqtaret që inkurajojnë gratë në drejtësi 

Gratë tani mbajnë një numër në rritje të pozitave udhëheqëse në gjyqësorin e Kosovës. Gjatë gjithë kësaj periudhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës, Gjykatat Themelore dhe Degët e Gjykatave janë udhëhequr nga gra.

Ndërsa festojmë Ditën Ndërkombëtare të Grave Gjyqtare, ne njohim dhe nderojmë kontributet e grave gjyqtare që patën një ndikim pozitiv në sektor dhe kanë qenë në krye të përpjekjeve për të promovuar sundimin e ligjit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe avancimin e drejtësisë dhe barazisë për të gjithë.

Gratë gjyqtare në pozicione drejtuese kanë rol të rëndësishëm në inkurajimin e grave të tjera për t’iu bashkuar profesionit ligjor. Si gra në pozicione ndikimi, ato kanë aftësinë të fuqizojnë gjeneratën e ardhshme të grave juriste, si dhe të avokojnë për politika dhe iniciativa që mbështesin gratë në profesionin ligjor. Në Ditën Ndërkombëtare të Grave Gjyqtare, ato dërgojnë mesazhet e mëposhtme për brezat e ardhshëm:

  • “Pavarësisht progresit të arritur, ne duhet të vazhdojmë të mbështesim dhe të inkurajojmë gratë që të ndjekin karrierën në drejtësi dhe t’u ofrojmë atyre mundësi për zhvillim dhe avancim profesional. Gjithashtu, duhet të punojmë për të eliminuar çdo gjë që i pengon gratë të hyjnë në profesionin e juristit dhe gjyqësorit.” – Drita Rexha, gjyqtare e njohur nga Kosova, anëtare e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe kryetare e Komisionit Normativ.
  • “Gjinia jonë nuk duhet t’i kufizojë asnjëherë ambiciet tona dhe as të pakësojë aftësitë tona. Ju inkurajoj ta ndiqni pasionin tuaj për drejtësinë, ta ngrisni zërin dhe të flisni, të jeni të sigurta në aftësitë tuaja dhe të mos lejoni askënd që t’ju bëjë të ndiheni të vegjël ose të padenjë. Ju e rrisni legjitimitetin e gjykatave duke e dërguar mesazhin e fuqishëm se prania juaj si grua në profesionet ligjore nuk është vetëm e vlefshme, por është e nevojshme” – Albina Shabani – Rama, Kryetare e Gjykatës Themelore Prishtinë.
  • “Mos lejoni që dikush t’ju thotë se nuk mund të jeni gjykatëse vetëm sepse jeni grua. Zëri juaj ka rëndësi dhe Kosova ka nevojë për më shumë gra gjyqtare që sjellin perspektiva të ndryshme, dhembshuri dhe drejtësi në këtë profesion. Me punë, përkushtim dhe pasion për drejtësinë, edhe ju mund të ndryshoni jetën e njerëzve dhe të ndihmoni në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të barabartë.” – Shpresa Emra, gjyqtare e njohur nga Kosova, e cila aktualisht është kryetare në Gjykatën Themelore të Prizrenit.
  • “Mosmarrëveshjet civile dhe komercile mund të kenë pasoja të gjera, jo vetëm për palët e përfshira, por edhe për shoqërinë dhe ekonominë e gjerë. Si juriste tw reja, ju keni mundësinë të luani një rol vendimtar në zgjidhjen e këtyre mosmarrëveshjeve në mënyrë të drejtë dhe efikase, duke u bërë gjyqtare në lëminë komerciale”- Saranda Bogaj – Sheremeti, Zëvendëskryetare e Gjykatës së sapokrijuar Komerciale.

Klauzolë: Ky artikull u mundësua nga mbështetja bujare e popullit amerikan nëpërmjet Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Ai u përgatit nga Projekti i USAID-it për Drejtësi, i zbatuar nga Chemonics International, krye kontraktor dhe ATRC, nënkontraktor. Pikëpamjet e autorit të shprehura në këtë botim nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.