Përurohet abetarja e përbashkët Kosovë-Shqipëri

Sot është përuruar abetarja e përbashkët Kosovë-Shqipëri, në parkun kulturor që mban emrin e poetit ‘Ali Podrimja” në Gjakovë.

I pranishëm në ceremoni ishte kryeministri i vendit Albin Kurti i cili tha që “populli ynë e di se përbashkimi është i domosdoshëm”.

“Sikurse në periudha të ndryshme historike, kur prijësit tanë u bën bashkë dhe ndërtuan kalimin prej ndjenjës së fuqishme identitare te vetëdija e lartë kombëtare, jemi ne që tani duhet të vazhdojmë jetësimin e idesë politike, në programe e politika zhvillimore, në aktivitete të përbashkëta edukative e arsimore”- ka theksuar Kurti.

Tutje ai përmendi periudhat historike të kalimit të abetares shqipe deri tek version i sotëm.

“Janë bërë 178 vjet, prej kur Naum Veqilharxhi botoi Qarkoren dhe Evetarin e Parë. Kanë kaluar 114 vite, prej kur dijetarët shqiptarë nga të gjitha trevat shqiptare u mblodhën në Kongresin e Manastirit, apo siç e njohim Kongresin e Alfabetit, për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Kështu u jetësua alfabeti I përbashkët I gjuhës shqipe, të cilin nga sot, fëmijët, anembanë viseve të banuara me shqiptarë, do ta mësojnë si Abetare të Përbashkët dhe Unike”- u shpreh Kurti.

Ministria e Arsimit Arbërie Nagavci e quajti këtë ‘ngjarje historike’ duke theksuar rolin e mësuesve shqiptarë ndër vite kontributin e dhënë në edukimin e secilit brez.

“Nga Normalja e Elbasanit tek Normalja e Gjakovës patriot e intelektualë të shumtë i kushtuan jetën shtrirjes së aspiratave të Rilindjes Kombëtare, dhe kësisoj edhe unifikimit të gjuhës Shqipe. Sigurisht se pa themelet e Rilindasve dhe përfaqësuesve të tyre sot me siguri nuk do të kishim as gjuhën tonë të bukur shqipe, as abetaren dhe as nuk do të flisnim si sot”- tha Ministria Nagavci.

E pranishme ishte edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë Evis Kushi e cila ka thënë që “kjo abetare do t’i fshijë kufijt”.

“Në nëntor të vitit të kaluar në Elbasan shumë njerëz ishin skeptik, nuk e besonin që ne në kohë kaq të shkurtër për vetëm tetë muaj do ta realizonim këtë nisëm, jo thjesht një abetare por një abetare shumë herë më cilësore”- tregoi ministrja Kushi.

Sipas saj ky do të jetë libri që do të bashkojë shqiptaret me këtë rast e citoi Faik Konicën i cili kishte thënë që e vetmja lidhje që i mban shqiptarët e bashkuar është gjuha shqipe.

Këtë abetare të unifikuar e ka uruar edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i cili nuk ishte prezent në ceremoni, por ka shkruar se është vullnet i dy qeverive.

“Gëzuar abetaren e parë të unifikuar të fëmijëve, e krijuar nga bashkimi i vullnetit të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, për të gjithë fëmijët shqiptarë kudo që janë”- shkroi Rama në Facebook.

Kjo marrëveshje ishte bërë mes dy qeverive në nëntor të vitit të kaluar ndërsa ceremonia e përurimit është bërë sot.

Nisma për një abetare të përbashkët Kosovë-Shqipëri për herë të parë është bërë në vitin 2012, ndërsa ekzistenca e saj ka ardhur pas një dekade.

Sipas kësaj nisme, kjo Abetare e unifikuar do të përdoret në të gjitha shkollat ku mësohet shqip.

Nisma për një abetare të unifikuar u ndërmor në vitin 2012 nga kryeministrat e asaj kohe Sali Berisha dhe Hashim Thaçi.