Foto: KALLXO.com

Kolegjiumi i Arsimit: Në 7 komuna të Kosovës nuk ka librari

Drejtorë të Arsimit të disa komunave të Kosovës janë mbledhur për të diskutuar për fillimin e vitit të ri shkollor, me theks të veçantë për njoftimin dhe propozimin e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, që prindërit të blejnë tekstet shkollore të fëmijëve të tyre, e më pas ata do të rimbursohen.

Drejtorët pjesëmarrës në këtë kolegjium kanë dhënë një informacion interesant: në së paku 7 komuna të Kosovës nuk ka librari.

Qemajl Sejdija, drejtor i Arsimit në Klinë, tha se në komunën prej nga vjen nuk ka asnjë librari, dhe për këtë arsye nuk e kanë pritur mirë propozimin e MASHTI-t.

Sipas tij, qendra më e afërt ku ka librari është Peja.

Sejdija tha po ashtu se po mendojnë t’i shfrytëzojnë librat e viteve të kaluara.

Edhe në komunën e Kaçanikut nuk ka librari.

Zahir Doda, drejtor i Arsimit, ka thënë se ky është njëri prej shqetësimeve dhe teknikisht është gati e pamundur të realizohet propozimi i ministres Arbërie Nagavci.

“Kërkova prej Ferizajt për një rrugë me na e liru, për një javë ditë Kaçanikut që të shkojmë me i ble librat, se s’kemi çka bëjmë” – ka theksuar Doda.

Ndërsa, për Avni Morinën, drejtor i Arsimit në Rahovec, është shqetësues fakti që në këtë kohë e kanë pranuar propozimin e MASHTI-t.

“Mungesa e teksteve shkakton probleme të mëdha, sepse asnjë mësimdhënës nuk e ka idenë se si do ta mbajë procesin mësimor pa tekste shkollore adekuate” – ka thënë Morina.

Kryesuesja e kësaj mbledhjeje të thirrur, njëkohësisht drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Besianë Musmurati, ka thënë se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me Ministrinë e Arsimit dhe se janë kundër vonesave dhe humbjes së orëve mësimore.

“Kemi edhe shumë qytete të cilat nuk kanë librari fare, po e shoh kemi këtu drejtorin e Klinës, kemi edhe komunat e tjera, është Hani i Elezit, në mos gabofsha janë shtatë komuna në të cilat nuk ka fare librari dhe që do të ketë probleme logjistike me furnizim” – ka deklaruar Musmurati.

Fjalën më pas e ka vazhduar drejtori i Arsimit në Podujevë, Avni Fetahu, si i vetmi udhëheqës i Arsimit në komunën e partisë në pushtet – Vetëvendosjes.

Fetahu ka kërkuar që të mos politizohet çështja e librave, pasi sipas tij, ftesa e kësaj mbledhje nga Kolegjiumi i Arsimit ka ardhur pikërisht në kohën kur po diskutohet për librat.

Më pas, drejtori i Arsimit në Lipjan, Rasim Hasani i është kundërpërgjigjur Fetahut duke thënë se problemi kryesor është se janë njoftuar përmes mediave për këtë propozim të MASHTI-t.

“Problemin e kemi të librat, nuk e kemi problemin me ministren (Arbërie Nagavci), nuk e kemi problemin me askënd personalisht por e kemi problemin qysh më 1 shtator nxënësit m’i pasë librat” – ka reaguar Hasani.

Në anën tjetër, Avni Fetahu mendon se kjo mundësi e dhënë nga MASHTI nuk duhet të shihet si “dramatike”, ngase, sipas tij, prindërit mund t’i blejnë librat me një çmim shumë më të arsyeshëm për ta kursyer buxhetin e shtetit.

Pas këtij prononcimi, Fetahu është kthyer në mbledhje, por kanë mjaftuar disa minuta që ai ta lëshojë këtë mbledhje.

“Unë e lëshova takimin këtu, për arsye se kryetarja e Kolegjiumit e bëri një deklaratë, e cila do duhej të postohej në faqen zyrtare të Kolegjiumit, mirëpo pas një kohe relativisht 10 minutave e anuluan atë edhe konsideroj se sikur me ju ardhë prej byrove politike të tyre, e ndryshuan deklaratën” – ka theksuar Fetahu.

Sipas tij, deklarata e dytë fillon me një qasje ndaj MASHTI-t, ku i gjithë faji i hidhet MASHTI-t, nuk shprehet gatishmëri për ta kaluar këtë fazë, aplikimi i prindërve për rimbursim u paraqit ‘dramatik’.

Pak minuta më pas, Musmurati ka reaguar lidhur me këtë deklarim të Fetahut, duke thënë se nuk ka pasur deklaratë të parë apo të dytë, por vetëm një deklaratë të hartuar nga të gjithë drejtorët komunalë.

Kjo deklaratë e përfolur është publikuar nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, duke përcjellë shqetësimin kryesor, se vonesa e shpërndarjes së teksteve mësimore nga MASHTI pamundëson fillimin e vitit shkollor.

“Për ne është e domosdoshme që Ministria e Arsimit të sigurojë sa më parë librat shkollorë, që mësimi të fillojë në kohë, e që humbjet e orëve të mos përsëriten sikur vitin e kaluar” – thuhet në deklaratën e tyre.