Foto: SHMLP "7 Shtatori" Prishtinë Tregti-Hoteleri-Turizem/Facebook

Komuna e Prishtinës ndan 1,5 milion euro për ndërtimin e objektit të ri të shkollës së mesme ‘7 shtatori’

Komuna e Prishtinës planifikon të ndërtojë objekt të ri për shkollën e mesme të Tregtisë, Hotelerisë dhe Turizmit ‘7 Shtatori’.

Plani është që shkollat profesionale t’i ketë në një zonë, andaj objekti i ri për shkollën e mesme ‘7 shtatori’ pritet të ndërtohet në lagjen ‘Kalabria’, afër shkollave tjera të mesme profesionale të Ekonomisë dhe Bujqësisë.

Për këtë projekt, Komuna ka ndarë 1.5 milionë euro.

Procedurat për të njëjtin projekt kanë filluar edhe në kohën e kryetarit Shpend Ahmetit, por me vlerën e parashikuar 1.4 milionë.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e udhëhequr nga Përparim Rama, Besianë Musmurati ka deklaruar për KALLXO.com se janë në proces të tenderimit pasi kanë pasur probleme me rritjen e çmimeve të materialit ndërtimor.

“Ende jemi në proces të tenderimit për shkak që ka pasur probleme me rritjen e çmimeve të ndërtimit. Secili pozicion ka rritje enorme të çmimit prandaj edhe janë vonuar fazat e prokurimit në gati çdo projekt kapital”- thotë ajo.

Në objektin aktual ku operon ‘7 shtatori’ (shkollë e ndarë në dy objekte një katëshe), që dikur njihej si shkolla ‘Normale’ në Gërmi, deri para pak viteve ka qenë i vendosur Gjimnazi Filologjik “Eqrem Qabej”, të cilët ndanin disa hapësira sportive me Universitetin Amerikan (RIT Kosovo).

Drejtoresha Musmurati thotë se ende nuk kanë plan se çfarë do bëhet me objektin e vjetër të shkollës ‘7 shtatori’.

Sipas drejtoreshës, në bazë të dhënave, objekti me pronë i takon Universitetit Amerikan (RIT Kosovo), por që janë ende në proces të verifikimit.

“Për objektin që do të mbetet i zbrazur ende nuk kemi plan. Me aq sa e kemi kuptuar, objekti me pronë i takon Universitetit Amerikan, si pjesë e kampusit të tyre. Ende jemi në proces të verifikimit të dhënave dhe pastaj ta bëjmë planin adekuat”- ka deklaruar Musmurati.

Tenderi për ndërtimin e këtij objekti të ri është duke u ekzekutuar përmes procedurës së negociuar ku komuna në bazë të aplikacioneve të pranuara, më së shumti 6 kandidatë do t’i ftoj për të dorëzuar tenderët e detajuar të kësaj kontrate.

Sipas të dhënave në dosje, nëse më shumë se 6 kandidatë të përshtatshëm i plotësojnë kriteret e mësipërme të përzgjedhjes, përparësitë dhe dobësitë relevante të aplikacioneve të këtyre kandidatëve do të riekzaminohen për të identifikuar gjashtë aplikacionet më të mira për procedurën e tenderit.

Faktori i cili do të merret në konsideratë gjatë ri ekzaminimit është vlera më e lartë e kontratave të përfunduara me sukses.

KALLXO.com në fund të vitit 2020 ka raportuar se Komuna e Prishtinës ka në plan që të ndërtojë objekt të ri për Shkollën e Mesme të Tregtisë dhe Hotelerisë “7 Shtatori”.

Prishtina do ndërtojë objekt të ri për Shkollën ‘7 shtatori’, synon t’i bëjë bashkë shkollat profesionale