Foto: Kallxo.com
Prishtina do ndërtojë objekt të ri për Shkollën '7 shtatori', synon t’i bëjë bashkë shkollat profesionale
Komuna e Prishtinës ka në plan që të ndërtojë objekt të ri për Shkollën e Mesme të Tregtisë dhe Hotelerisë “7 Shtatori”.
Shpresa Shala, drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Prishtinës, ka thënë për KALLXO.com se objekti i ri do ndërtohet afër shkollës së mesme të Bujqësisë dhe asaj të Ekonomisë pasi kanë synim vënë në një vend shkollat profesionale.
“Shkolla 7 shtatori për momentin është në një objekt shumë të vjetër afër AUK-ut rrugës për Gërmi, ndërtimi i objektit të ri do bëhet afër shkollave profesionale të Ekonomisë dhe Bujqësisë, pasi kemi synim t’i bëjmë bashkë këto shkolla”, ka thënë Shala.
Ajo tutje shtoi se edhe Shkolla ‘Gjin Gazulli’ do zhvendoset në një pjesë të rinovuar të shkollës së Ekonomisë ku do i bashkëngjitet edhe një pjesë e Fakultetit të Bujqësisë pasi ky i fundit pritet të dal në objekt të ri”, ka shtuar tutje Shala.
Në objektin aktual ku gjendet Shkolla “7 shtatori”, që dikur njihej si shkolla ‘Normale’, deri vonë ka qenë i vendosur Gjimnazi Filologjik “Eqrem Qabej”, të cilët ndanin disa hapësira sportive me Universitetin Amerikan (RIT) AUK.
Ndërsa, Fakulteti i ri i Bujqësisë është duke u ndërtuar afër urës në rrugën për Fushë Kosovë i cili pritet te funksionalizohet vitin e ardhshëm.