Tryeza e AGK-së me temën "Roli i medieve në raportimin e problemeve ndëretnike” Foto: AGK

AGK prezanton 5 artikujt për problemet e komuniteteve në Kosovë

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka mbajtur tryezën e radhës me temën “Roli i medieve në raportimin e problemeve ndëretnike”, të zhvilluar në kuadër të projektit “Shtëpia ime, të drejtat e mia”, mbështetur nga UNMIK.

Vesa Bala, asistente e projektit,  tregoi se qëllimi i tij ishte ngritja e vetëdijes së qytetarëve nga komunitetet e ndryshme në identifikimin e problemeve të përbashkëta dhe hapjen e perspektivave për zgjidhjen e këtyre problemeve në të mirën e secilit.

Kryetarja e bordit të AGK-së, Gentiana Begolli Pustina, tha para të pranishmëve që përmes këtij projekti është synuar që të paraqitet saktë gjendja e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë dhe sipas saj ky qëllim edhe është arritur.

Rabisha Muhaxhiri ,redaktore për komunitete në Televizionin Publik të Kosovës veçoi disa nga vështirësitë me të cilat ballafaqohen gazetarët e komuniteteve jo shumicë në Kosovë.

“Nuk është lehtë që gazetarët e komuniteteve të punojnë në mediumet kosovare. Këtu kemi parasysh ndikimet politike e që shpeshherë janë  më të mëdha se sa ndikimet politike që bëhen mbi gazetarët  e komunitetit  shumicë…Ne po qëndrojmë para këtyre sfidave por kemi nevojë edhe për  mbështetjen  e kolegëve tanë që në këtë mënyrë të ndihmojnë gazetarët e redaksive të komuniteteve jo shumicë”, tha Muhaxhiri.

Ndërsa kryetari i Asociacionit të Gazetarëve Serb në Kosovë, Budimir Nicic, tha se mediet dinë të jenë armë e rrezikshme në momentin që hasen në duart e dikujt që nuk di t’i përdorë. Nicic kërkoi nga gazetarët që  punën e tyre ta bëjnë pa emocione, ndërsa porositi që për trajtimin e një tematike dhe ngjarje, feja apo etnia të mos jenë përcaktuese.

“Nëse dikush ka bërë krime, një faj, ai duhet të shihet dhe gjykohet vetëm në bazë të veprës së tij,  e jo të gjykohet në bazë të etnisë apo fesë”, tha Nicic.

Lendrit Qeli, drejtor ekzekutiv i Prosperiteti Channel, tha se shqetësuese për të mbetet pasqyrimi që iu bëhet komuniteteve jo shumicë në Kosovë.

“Ne kemi problemin tek termi RAE. Ne kemi identitete të veçanta. Pse asnjëherë nuk raportohet për arritjet që bëhen në mesin tonë. Ne kemi një doktor shumë të suksesshëm, për të cilin askush asnjëherë nuk ka bërë një shkrim”, tha Qeli.

Pesë gazetarët përfitues, Leonora Bërbatovci, Taulant Osmani, Dardane Neziri, Arjeta Dragaj dhe Valmir Gallopeni para pjesëmarrësve kanë shpalosur hulumtimet e tyre që kanë trajtuar temat e pronës, e personave me nevoja të veçanta, e sportistëve, e çështjet sociale, si mbijetesa përmes kanaçeve e deri tek rastet recidive të dhunës në familje.

Të gjitha temat janë fokusuar në trajtimin e asaj se çfarë është ndërmarrë në zgjidhjen e një problemi/sfide të caktuar, jo vetëm në raportimin e problemit në fjalë.

Njëri nga artikujt e këtij projekti të AGK-së me UNMIK-un, është edhe artikulli i gazetarit të KALLXO.com, Taulant Osmani për problemet që kanë sportistët e komuniteteve në Kosovës për shkak të trysnisë politike me të cilët ata ballafaqohem.

Sportistët dhe investimet në sport, peng të politikës