Foto-ilustrim - Foto: KALLXO.com

Vret Familjaren e Saj për Pronë

Një 91-vjeçe me inicialet D.N. është vrarë me thikë nga një familjare e saj. Viktima dhe autorja e dyshuar e vrasjes, 28-vjeçja N.N., kishin probleme pronësore.

Ngjarja tragjike ka ndodhur sot rreth orës 9:30 në Shtërpcë.

Policia Rajonale e Ferizajit kishte marrë një informatë sipas të cilës një grua e moshuar është shtrirë në hyrje të shtëpisë së saj.

Në vendin e ngjarjes kanë shkuar njësitet policore dhe ekipi mjekësor, me ç’rast pas ekzaminimit nga ana e mjekut është konfirmuar se viktima kishte ndërruar jetë.

Sipas raporteve të para, 91-vjeçja ishte qëlluar me thikë në kokë dhe qafë. Ajo jetonte e vetme në shtëpi.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe Kryeprokurori dhe Prokurori i Shtetit –Prokuroria Themelore Ferizaj dhe me urdhër të tyre trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Lidhur me rastin Policia ka marrë të gjitha veprimet hetimore dhe pas një kohe ka arrestuar familjaren e viktimës, 28-vjeçen me inicialet N.N., me banim në Beograd.

“Në vendin e ngjarjes janë gjetur dy thika me të cilat dyshohet se është kryer vepra, dorezat plastike, si dhe prova të tjera të cilat janë gjetur në trupin dhe rrobat e të dyshuarës të cilat e ndërlidhin me vendin e krimit”, thuhet më tutje në njoftim.

Gjatë intervistës preliminare, e dyshuara ka pranuar në tërësi veprën e kryer ndërsa si motiv ka treguar se kjo vrasje është bërë për probleme pronësore.

Me urdhër të prokurorit, e dyshuara dërgohet në mbajtje për 48 orë deri në kompletimin e lëndës.