Votat nga Burgu

Një kuti votimi e atyre që për zgjedhjen e kryetarit të Drenasit votuan nga burgu i Lipjanit ka ardhur në Shkollën “Rasim Kiçina”.

Brenda kutisë ndodhen katër vota të të burgosurve, ndërsa ajo erdhi nën shoqërimit e policisë.

Votat nga burgu erdhën në Shkollën “Rasim Kiçina” për arsye se këtu ndodhet Qendra e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve. Nga këtu ato pastaj do të transferohen në Qendrën e Numërimit të Votave.

Votat e të burgosurve që janë në listën e votuesve të Drenasit u morën nga një ekip i KQZ-së që ua mundësoi atyre votimin.

Megjithatë, kutia me votat e të burgosurve qëndroi para kësaj qendreje të votimit e shoqëruar nga policia për gjysmë ore, ngase nuk ishte personi përgjigjës për ta hapur derën e depos ku do të vendoset kutia.

Në “Rasim Kiçina” të drejtë vote në pesë vendvotime kanë 3941 persona.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Drenasit janë thirrur për shkak se ish kryetarit të komunës, Nexhat Demaku, muajin e kaluar Gjykata e Apelit ia vërtetoi një dënim në një akuzë për krime të luftës.

votat-nga-burgu-1 votat-nga-burgu-2