Presidenti maqedonas, Gjorge Ivanov. Foto: president.gov.mk

Veprimet e Ivanovit Bashkojnë Shqiptarët e Zemëruar në Maqedoni

Shumë qytetarë shqiptarë të Maqedonisë thonë se ndihen thellësisht të fyer nga vendimi i presidentit Gjorge Ivanov për të mos i dhënë një mandat liderit të opozitës, Zoran Zaev – pavarësisht shumicës së tij në parlament – dhe deklaratave anti-shqiptare të kreut të shtetit.

Megjithatë, shumica gjithashtu thonë se ata nuk janë të habitur me veprimin e tij, sepse ai është i njohur si partizan i afërt i partisë në pushtet VMRO DPMNE.

“Argumentimi i tij se pse ai nuk ia ka ofruar [socialdemokratëve] mandatin [për të formuar një qeveri] ndez urrejtje ndëretnike dhe më bën të ndihem i pasigurt”, thotë për BIRN, ekonomisti Visar Sadiki.

“Ai duhet ta rishikojë vendimin e tij për shkak se në këtë mënyrë ai po e shtyn vendin në një humnerë”, shtoi Sadiki.

“Ivanov … është duke inkurajuar konfliktin ndër-etnik dhe ndjenjën e pasigurisë. Me këtë hap, ai është duke përfunduar karrierën e tij në një mënyrë skandaloze”, tha Fatmir Sulejmani.

“Kur kemi parasysh se çfarë lloj të presidentit kemi, unë nuk jam i befasuar nga deklaratat e tij, sepse kjo është ndjenja e tij e diplomacisë dhe politikës. Por ndjehem keq që në rast të një konflikti, do të vuajnë njerëz të pafajshëm”, tha Jetmir Abazi, bojaxhi.

Presidenti Ivanov të mërkurën ka refuzuar t’i japë mandatin Zoran Zaevit, liderit të Social Demokratëve opozitarë, i cili fitoi 49 nga 120 vende në parlament, për të formuar një qeveri në aleancë me partitë shqiptare etnike.

Ivanov tha se pranimi i “platformës shqiptare” nga Zaevi potencialisht mund të “shkatërrojë” Maqedoninë.

Platforma përfshin kërkesat për përdorim më të gjerë zyrtar të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore dhe më shumë të drejta për shqiptarët e vendit në përgjithësi.

Ekspertët dhe vëzhguesit shqiptarë në Maqedoni kanë dënuar veprimin e Ivanovit si një turp.

Disa kanë frikë se retorika anti-shqiptare e Ivanovit mund të provokojë marrëdhëniet etnike në pikën e konfliktit.

“Në këtë fazë, Maqedonia ka hyrë në një aventurë dhe kjo nuk është e qartë se si mund të zhvillohet”, tha për BIRN, analisti politik Alajdin Demiri.

“Por unë mendoj se tensionet etnike do të rriten, dhe protestat do të shtohen, jo vetëm nga partia VMRO DPMNE [qeverisëse], por nga edhe Social Demokratët e shqiptarët, dhe kjo situatë mund të dalë jashtë kontrollit”, shtoi Demiri.

Ai gjithashtu tha se u duk se vendimi i Ivanovit ishte planifikuar në selinë e VMRO DPMNE, duke dëshmuar edhe një herë se ai është një partizan i VMRO DPMNE-së dhe jo një kryetar i paanshëm i shtetit.

“Ky vendim po e shtyn Maqedoninë në kaos politik për të realizuar planin e VMRO DPMNE-së për zgjedhje të parakohshme”, ka thënë Demiri.

Partia VMRO DPMNE e Nikolla Gruevskit ka fituar 51 nga 120 vendet në parlament, por nuk arriti të formojë qeverinë në janar, pasi partia e tij nuk arriti një marrëveshje me ish-partnerin e saj shqiptar të koalicionit, Bashkimin Demokratik për Integrim, BDI.

Kreu i BDI-së Ali Ahmeti ka thënë se platforma shqiptare në asnjë mënyrë nuk rrezikon karakterin unitar të vendit, as nuk parashikon federalizimin apo ndarjen.

Ai ka përsëritur thirrjet për qetësi, duke u bërë thirrje të gjithë shqiptarëve në Maqedoni të përmbahen për të mos e kthyer në një krizë të sistemit, dhe brenda bllokut etnik maqedonas, në një konflikt më të gjerë, ndër-etnik.

Ziadin Sela, kryetar i një partie tjetër shqiptare, Lëvizja për Reforma, Partia Demokratike e Shqiptarëve, PDSH, e quajti vendimin Ivanovit një përpjekje për t’u mundësuar njerëzve të caktuar për të shmangur përgjegjësinë për krimet që kanë kryer, duke iu referuar Gruevskit dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të partisë VMRO DPMNE.

“Ne po ndjekim situatën me kujdes, por vendimi i Ivanovit nuk do ta ndryshojë rrugën tonë”, tha Sela për BIRN.

“Platforma shqiptare duhet të jetë një realitet në Maqedoni. Baza e kësaj platforme reflekton përkushtimin e vendeve të BE-së për diversitetin kulturor dhe gjuhën”, shtoi Sela.

“Ne nuk do të lejojmë që shqiptarët të trajtohen si skllevër”, vazhdoi ai, duke e quajtur platformën rrugën e drejtë për të siguruar të ardhme më të mirë për shqiptarët në Maqedoni.

Një parti tjetër shqiptare, Lëvizja Besa, gjithashtu parashikoi se vendimi i Presidentit do të ketë pasoja të këqija për vendin dhe do të thellojë krizën aktuale.

“Ky vendim rrezikon sigurinë e vendit”, tha për BIRN, Afrim Gashi, nga Besa.

“Faktorët ndërkombëtarë që janë garantuesit e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit [2001] dhe Marrëveshjes Przino duhet të ndërhyjnë për të parandaluar eskalimin e situatës”, shtoi Gashi.

Lëvizja Ivanovit konsiderohet antikushtetuese

Besa Arifi, profesoreshë e Drejtësisë tha se vendimi i Ivanovit ishte anti-kushtetues dhe ka përkeqësuar krizën në vend.

“Fuqia e tij është vetëm formale dhe ai nuk është kompetent për ta vlerësuar programin e qeverisë”, tha Arifi për BIRN.

“Ai ka tentuar që dhunshëm ta ndryshojë rendin kushtetues të vendit dhe ka tentuar një grusht shtet”, tha ajo.

“Një ndryshim i pushtetit është një proces normal në çdo vend demokratik dhe kryetari nuk ka të drejtë për të penguar atë.

“Ai nuk ka kompetencë për të ndërhyrë në institucionet e tjera si parlamenti dhe qeveria; kjo është anti-kushtetuese”, shtoi Arifi, duke vënë në dukje se në qoftë se ka ndonjë nevojë për hetim, kjo është një punë për prokurorin publik.