Presidenti turk dhe ai serb nënshkruajtën 12 marrëveshje - Foto: rtv21

Turqia e Serbia Nënshkruajnë 12 Marrëveshje

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dhe ai serb, Aleksandar Vuçiq dhe ministrat e të dy vendeve nënshkruan sot në Beograd 12 marrëveshje mes Beogradit dhe Ankarasë.

Ministrja serbe e Ndërtimit, Komunikacionit dhe Infrastrukturës, Zorana Mihajloviq dhe ministri i Komunikacionit, Infrastrukturës dhe Detarisë i Republikës së Turqisë, Ahmet Aslan, nënshkruan deklaratën për bashkëpunim në sferën e komunikacionit dhe infrastrukturës mes dy vendeve.

Mes dy vendeve u nënshkrua edhe Memorandumi për Mirëkuptim në sferën e urbanizmit.

Deklaratën e përbashkët politike për themelimin e Këshillit të Lartë për Bashkëpunim mes Serbisë dhe Turqisë e nënshkruan presidentët e dy vendeve.

Ndërkohë, revizionin e Marrëveshjes për Tregti të Lirë e nënshkruan ministri turk i Ekonomisë, Nihat Zeybekçi dhe ministri i Tregtisë së Jashtme, Turizmit dhe Telekomunikacionit i Serbisë, Rasim Lajiq./21Media