Pamje nga gjykimi i të akuzuarve për patentë-shofer - Foto: KALLXO.como

Të Akuzuarit për Patentë-Shoferë Deklarohen rreth Fajësisë

Tre të akuzuar e kanë pranuar fajësinë e tre të tjerë jo në gjykimin për vepra të ndryshme penale në lidhje me lëshimin e dokumenteve për marrjen e patentë-shoferëve.

Nexhat Shala, Kadrush Kameri, Ismet Muhaxheri, Muhamet Karameta, Bekim Gjeli e Viola Mujaj- Sokoli janë akuzuar nga Prokuroria Themelore e Prishtinës se kanë vepruar kundër ligjit në procedurën për marrjen e patentë-shoferëve nga kandidatë të ndryshëm.

Në seancën e sotme pasi u lexua aktakuza të akuzuarit u deklaruan rreth fajësisë.

Sipas aktakuzës në këtë rast janë bërë shumë veprime antiligjore si përfitimi pasuror i kundërligjshëm në shuma të ndryshme duke i mashtruar qytetarët se do të pajisen me patentë-shofer, ushtrimi i ndikimit për nxjerrjen e certifikatave mjekësore, përdorimi i certifikatës së rreme të mjekut për regjistrimin e patentë-shoferëve, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nxjerrja e certifikatave mjekësore pa kontrolle mjekësore e falsifikim të dokumentit zyrtar.

Kadrush Kameri e  Ismet Muhaxheri, instruktorë të autoshkollave, dhe Nexhat Shala me bindje të plotë deklaruan se nuk e ndien aspak veten fajtorë për veprat për të cilat janë akuzuar.

Ndërsa, Muhamet Karameta, Bekim Gjeli e Viola Mujaj- Sokoli, mjek ose punonjës të ordinancave mjekësore që lëshojnë certifikata mjekësore, para gjykatës deklaruan se e pranojnë fajësinë për çka janë akuzuar.

Fjalët e tyre i mbështetën edhe avokatët e tyre, të cilët u shprehën se pranimi i fajësisë është bërë në koordinim me ta duke i marrë parasysh përfitimet që ka pranimi i fajësisë në matjen e dënimit.

Të akuzuarit që nuk e pranuan fajësinë e liruan sallën e gjykatës ndërsa ata që e pranuan qëndruan aty për t’i dhënë fjalët përfundimtare, duke i kërkuar gjykatës një vendim më të butë për ta.

Prokurorja e shtetit Habibe Salihu i kërkoi Gjykatës që për të akuzuarit të shqiptohet dënimi në bazë të ligjit ndërsa kërkoi nga ajo që të ketë parasysh si pasojat e veprës ashtu edhe pranimin e fajësisë.

Të akuzuarit me mbrojtësit e tyre në fjalët e tyre përfundimtare kërkuan që Gjykata në matjen e dënimit të marrë parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese si pranimi i fajësisë, pendimi i thellë, premtimi që në të ardhmen nuk do të kryejnë vepra penale dhe se janë persona mbajtës të familjes.

Ata kërkuan që t’u shqiptohet ndonjë masë alternative, zëvendësimi i dënimit me dënim me gjobë ose dënim me kusht.

Vendimi për tre të akuzuarit që pranuan fajësinë do të shpallët nesër në ora 9:00.