FOTO ARKIV

ShKA ‘AGIMI' me Dy Udhëheqje

Kjo pasi që disa anëtarë të Kryesisë së Shoqërisë, të revoltuar me zgjedhjet e brendshme, në të cilat janë zgjedhur njerëzit që “Agimin” e kanë sjellë në krizë të thellë financiare, kanë zgjedhur një trup të përkohshëm menaxhues, në krye me profesorin Kastriot Marku.

Megjithatë, Xhemal Kabashi thotë se ai është kryetari legjitim i Shoqërisë Kulturore Artistike, pasi është rizgjedhur në kuvendin e 8 shkurtit.

“Megjithëse nuk është shumë më rëndësi ajo se kush është kryetar i shoqërisë “AGIMI”, na punojmë si një grup i përbashkët dhe për momentin përfaqësues i autorizuar i shoqërisë artistike jam unë”, tha Kabashi për KALLXO.com.

E një prej detyrave të grupit punues që u zgjodh në kuvendin e sotëm është që t’i kontrollojë raportet financiare të Shoqërisë “AGIMI” që nga paslufta e deri më sot.

“Të gjitha udhëheqësitë e organeve ekzekutive të Shoqërisë Kulturore Artistike nga viti 1999, të publikojnë të gjitha raportet dhe pasqyrat financiare të organizatës, nga viti 1999 e deri më sot, përfshi listën me të gjitha hyrat financiare në këto 17 vitet e fundit, pra donatorë, projekte, data, shuma etj.”, tha njëri prej anëtarëve të Kryesisë, Xhevdet Doda.

Megjithatë për KALLXO.com, Xhemal Kabashi ka treguar raportet financiare të viteve 2014, 2015 dhe 2016, kur ky ka qenë në krye të Shoqërisë “AGIMI”.

“Harxhimet e 2016 janë diku përafërsisht 5,500 euro”, tha Kabashi për KALLXO.com duke treguar edhe raportet financiare të atyre viteve kur ai ka udhëhequr me ShKA “AGIMI”.

Kabashi ka pranuar se kanë menduar ta japin një pjesë të objektit me qira, për shkak të nevojave financiare që ka pasur Shoqëria “AGIMI”, mirëpo pas reagimit të qytetarëve është tërhequr vendimi.

“Meqenëse na kemi pasur shumë probleme financiare, sidomos këtë vit kemi qenë shumë ngushtë me probleme financiare, kemi pasur diskutime edhe me anëtarësinë e gjerë, njerëzit aktivë që janë këtu, kemi qenë të mendimit që me e dhanë një pjesë për përkahjen e aktiviteteve tona, por e pamë një reagim mjaft të madh të qytetarëve edhe e kemi tërheq atë vendim”, tha Kabashi.

Megjithatë, edhe pse që nga paslufta ka pasur udhëheqës të ndryshëm, dje është kuptuar se Shoqëria “AGIMI” zyrtarisht ka pasur vetëm një kryetar, Kadri Skejën.

Ky i fundit thotë se kemi të bëjmë me një lëshim, pasi që udhëheqja e Shoqërisë nuk ka qenë në dijeni se ndryshimet në udhëheqje është dashur të raportoheshin në Departamentin për Regjistrim të OJQ-ve në Ministrinë e Administratës Publike.

“Unë kam qenë kryetari i parë i shoqërisë pas luftës. Mandej ka pasë kryetarë të tjerë që janë zgjedhë prej kuvendeve, mirëpo ne nuk e kemi ditë që duhet me e kry procedurën e pranim-dorëzimit të detyrës. Andaj figuron emri i jem aty. Por unë nuk jam kryetar legjitim. Unë kam qenë kryetar prej 2001 deri në 2005, pastaj kanë ardhë të tjerë në udhëheqje të Shoqërisë. Pastaj e kam pasë edhe një mandat prej 2012 deri në 2013”, tha Skeja përmes telefonit për KALLXO.com.

Ai gjithashtu e ka konfirmuar se të premten e kanë bërë pranim-dorëzimin e detyrës në Departamentin për Regjistrimin e OJQ-ve në Ministri.

Reagimi i grupit të sotëm shihet si një rebelim qytetar ndaj grupit të disa individëve që “AGIMIN” e kanë sjellë në vështirësi të mëdha financiare.

Një rebelim i tillë qytetar në Prizren ka ndodhur edhe me kinon “Lumbardhi”, kur elita e heshtur intelektuale është organizuar në mënyrë spontane për të mbrojtur vlerat qytetare dhe kulturore të qytetit.

Rasti i kinos “Lumbardhi” ishte trajtuar edhe në emisionin “Jeta në Kosovë”.

Ndryshe, Shoqëria Kulturore-Artistike “AGIMI” është formuar në vitin 1944. Prej saj kanë dalë emra me nam të fushës së muzikës, aktrimit dhe kulturës në përgjithësi, si Lorenc Antoni, Bekim Fehmiu, Nexhmije Pagarusha, Zita Bashota, Liliana Çavolli, Engjëll Berisha, etj.