Pasuria e Marjan Demës vjet dhe sivjet | Grafika: KALLXO.com

Rektori Dema Shton Paratë e Kursyera për 22 Mijë Euro

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Dema për vitin 2016 ka deklaruar të hyra prej 31 mijë e 535 euro si pagë mujore për punën që bën në këtë Universitet. Nga i njëjti, Dema merr edhe 4 mijë e 200 euro në emër të shtesave dhe mëditjeve.

Përveç kësaj, rektori ka një honorar prej Universitetit të Pejës në vlerë prej 9 mijë e 985 euro neto brenda një viti. I njëjti merr edhe 3 mijë euro në emër të qirasë për dy lokale të cilat i ka në pronësi në Prishtinë.

Në total, të hyrat vjetore të rektorit të UP-së shkojnë në 42 mijë euro.

Ai në deklarimin e bërë në mars të 2017 për të hyrat e vitit 2016 ka treguar edhe për të hyrat e bashkëshortes, e cila është punëtore e RTK-së. Të hyrat e saj janë më modeste, pasi ajo merr vetëm 6 mijë e 200 euro në vit.

Rektori Dema ka rritur edhe paratë e gatshme krahasuar me një vit më parë. Ai ka deklaruar 84 mijë e 821 euro kursime, ndërsa në deklarimin e bërë në vitin 2016 kishte të kursyera 62 mijë e 838 euro.

Dema edhe në vitin 2017 i ka deklaruar veturat e njëjta me ato të viteve paraprake, të cilat ai vlerëson se kanë një vlerë prej 6 mijë e 500 euro.

Rektori Dema posedon shtëpi, tokë, banesë dhe lokale, të cilat i vlerëson me 231 mijë e 500 euro.

Pasuria e Marjan Demës vjet dhe sivjet | Grafika: KALLXO.com