Prokurori që Hetoi Sekiraqën u Largua nga EULEX

Në detaje të tjera rreth hetimit të rastit Sekiraqa, prokurori Andrew Carney ka rrëfyer në “Drejtësia në Kosovë” hetimet ndaj Sekiraqës i kishte nisur një prokuror tjetër i EULEX-it.

“Sekiraqa është dorëzuar në vitin 2012 dhe në atëkohë rasti ka qenë duke u hetuar nga një prokuror tjetër. Më herët ky prokuror e la misionin pasi që Sekiraqa u dorëzua. Atëherë unë jam caktuar ta hetoj këtë lëndë por nuk kam qenë pjesë e negociatave (për dorëzimin e tij)”, ka rrëfyer Carney.

Enver Sekiraqa është dënuar me 37 vite burgim nën akuzën për organizimin e vrasjes së policit Triumf Riza në shtator të vitit 2007.

Ai ishte dorëzuar në EULEX pas katër vitesh arrati ndërsa gjatë tërë procesit gjyqësor kishte mohuar se ka gisht në vrasjen e Triumfit.

Në një rast siç raporton “Drejtësia në Kosovë”, Sekiraqa kishte thënë se i ka pasur borxh Triumf Rizës pasi ai i kishte shpëtuar jetën gjatë konfliktit të njohur si konflikti i Swiss Casino.

“Drejtësia në Kosovë” të premten ka transmetuar një përmbledhje të rastit Sekiraqa përfshirë pjesë të pa transmetuara të intervistës së Sekiraqës të kryer gjatë viti 2012.

Emisionin e plotë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: