Mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik | Foto: KALLXO.com

Projektligji që Synon Shtrëngimin e Kontrolleve Teknike

Teksa diskutohej për ndryshim-plotësimet e Projektligjit për Automjete, anëtarët e Komisionit për Zhvillim Ekonomik kërkuan forcim të kontrolleve teknike të automjeteve, largim monopoli nga procesi i homologimit dhe moslejim importi të makinave të vjetra.

“Ky projektligj duhet të bëjë të qartë cilësitë dhe përgjegjësitë e qendrave të kontrollit teknik. Nuk është se nuk ka pasur ligj, por përvoja e tregon se disa gjëra kanë qenë formale kur në kontroll teknike automjetet kalojnë lehtë, pra ligjin duhet ta dizajnojmë që ta forcojmë kontrollin teknik,” tha kryetari i komisionit Muhamet Mustafa.

Anëtari i komisionit nga radhët e LDK-së Blerim Grainca kërkoi që Ligji për Automjetet pas ndryshim-plotësimeve të parashikojë ndëshkimet ndaj atyre që kryejnë në mënyrë joadekuate kontrollet teknike.

“Tek ne është bërë zakon që të nxirren në trafik automjetet që nuk janë teknikisht në rregull atëherë kemi të bëjmë edhe me kualitetin e jetesës, kemi situatë kur automjetet nuk shkojnë fare në kontroll teknike por vetëm dërgohen dokumentet e automjetit e te ky nen duhet të futet edhe sanksionimi i agjentëve që kryejnë këtë shërbim,” tha Grainca.

Zëvendësministri i Infrastrukturës Hanefi Muharremi mohoi se kontrolli teknik bëhet vetëm formalisht.

“Ne nuk besojmë se jepet vetëm libreza sepse automjeti e ka kohën e caktume sa duhet të qëndrojë deri sa të kryhet kontrolli, e sa cilësor është kontrollimi ajo duhet të jetë punë e policisë,” tha Muharremi.

Deputeti Grainca kërkoi që për procesin e homologimit të makinave të mos jetë vetëm një operator i licencuar.

“Kërkojmë nga ju-ministria të na sillni informata çka po ndodh në fushën e homologimit, si është e mundur që kemi vetëm një lloj operatori që realisht ka një lloj monopoli në këtë fushë,” iu drejtua Grainca Muharremit.

Muharremi u arsyetua se monopoli në homologia është përgjegjësi e qeverisë së kaluar.

“Sa i përket homologimit, deri sa ky ligj të aprovohet kalon edhe kontrata e personit që e ka monopolin. Tani për tani kjo nuk është përgjegjësi e kësaj qeverie po e qeverisë së kaluar, e ne nuk mundemi ta ndërprejmë kontratën sepse hyjmë në penale,” tha Muharremi.

Homologimi është një proces me të cilin një makinë që qarkullon për herë të parë në Kosovë, konsiderohet se u përshtatet kritereve teknike të parapara me rregulloret ose konventat të cilat mund t’i ketë nënshkruar Kosova.

Për monopolin e homologimit në Kosovë Instituti GAP doli me një analizë në maj të këtij viti.

http://kallxo.com/gap-homologimi-shtrenjte-dhe-monopolizuar/

Anëtari tjetër i komisionit Besim Beqaj nga PDK-ja kritikoi Ministrinë e Infrastrukturës për importim të automjeteve të vjetra pa kufizim vitesh në Kosovë.

Zëvendësministri i infrastrukturës Hanefi Muharremi tha kufizimin e virteve të makinave që mund të importohen e ka hequr Ministria e Financave për përfitim të më shumë të hyrave.

“Sa u përket automjeteve të vjetra është njëri ndër faktorët që e ndotin ambientin, por ndalimi i importit mund të rregullohet edhe me një udhëzim administrativ, sepse na pas luftës i kemi pas disa kufizime njëherë shatë vjet pastaj tetë vjet, e pastaj u hjek krejt me ni vendim të qeverisë, e pse kjo ndodhi ata e dinë, sepse Ministria e Financave kërkon grumbullimin e mjeteve, e mjetet grumbullohen në këtë mënyrë,” tha Muharremi.

Qeveria e hoqi kufizimin e automjeteve në mars të vitit 2015 me arsyetimin se importet janë diskriminuese për qytetarët e varfër, e kjo shkaktoi dëme ambientale si dhe rrezik në komunikacion.

Vdekja na Vjen prej Politikave të Tilla

Ditëve të fundit në Prishtinë niveli i ndotjes së ajrit arriti përmasa alarmante.

http://kallxo.com/kukulla-mesazhe-si-vetedijesim-per-ndotjen/