Foto: Atdhe Mulla

Presidenti i Komisionit Europian i Shkruan Hashim Thaçit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka marrë një letër urimi nga Presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude-Juncker, me rastin e shënimit të dhjetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Juncker ka bërë të ditur se nuk do të mund të marrë pjesë në seancën solemne të Kuvendit.

”Ju faleminderit për letrën tuaj dashamirëse të datës 26 janar 2018 përmes së cilës më keni ftuar të marr pjesë në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, më 18 shkurt 2018, në Prishtinë. Fatkeqësisht, nuk do të kem mundësi të jap një përgjigje pozitive për ftesën tuaj për shkak të angazhimeve ekzistuese në ditën përkatëse”, bëhet e ditur në letrën e Juncker.

Ai më tutje ka informuar se do të vijë për një vizitë në Prishtinë më 28 shkurt 2018, në kuadër të vizitës së tij në Ballkanin Perëndimor.

”Përfitoj nga kjo mundësi për t’ju përcjellur dëshirat e mia më të mira për ngjarjen solemne”, shkruhet më tutje në letrën e Presidentit të Komisionit Evropian.