Pamje nga seanca gjyqësore për shërthimin e bombolëssë gazit - Foto: KALLXO.com

Njëri Prokuror i Sëmurë, Tjetri i Papërgatitur, Dështon Seanca

Kryetari i trupit gjykues, Shashivar Hoti, i njoftoi të akuzuarit dhe avokatët e tyre se prokurorja e rastit, Ferdane Sylejmani, për arsye shëndetësore nuk ka mundur të vijë në seancë ndërsa prokurori zëvendësues, Hivzi Bajraktari, për shkak të vëllimit nuk ka mundur ta përgatiste lëndën.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, nga shpërthimi i një bombole gazi më 15 mars 2008 në Prishtinë gjatë furnizimit të pompës së derivateve të kompanisë “M-Gas Petrol” nga një autocisternë e firmës “P Gas” vdiqën Bekim Muharremi dhe Ismajl Sadiku dhe u lënduan Naser Dragusha, Meriton Demiri dhe Abbade Aylew.

Lidhur me këtë shpërthim, Muhamet Prapashtica, pronar i “M Gas Petrol” dhe Besnik Sadiku, pronar i “P-Gas”, po akuzohen për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, ndërsa Faton Canolli akuzohet se pa kontratë pune ka ushtruar veprimtarinë e shitjes së gazit si shofer.

Lidhur me këtë shpërthim, akuzohen edhe Ahmet Frangu si kryeinspektor dhe Nafije Osmani si inspektore tregu. Ata dyshohen se kanë shpërdoruar detyrën e tyre zyrtare duke lejuar kompanitë e sipërpërmendura të ushtrojnë veprimtarinë e tyre pa leje.

Të pandehurit Ahmet Frangu dhe Nafije Osmani akuzohen se kanë kryer veprën penale shpërdorim i detyrës zyrtare ose autorizimit.

Sipas aktakuzës, Frangu në cilësinë e shefit të Inspeksionit të Tregut në Komunën e Prishtinës ka shpërdoruar detyrën duke ia mundësuar firmës “M Gas Petrol“ të përfitojë dobi pasurore duke e lejuar të  ushtrojë veprimtarinë e saj pa leje valide.

Për arsye të njëjta akuzohet edhe Nafije Osmani, e cila në cilësinë e inspektores të tregut duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, ka lejuar kompaninë “P Gas“ të përfitojë pasuri në mënyrë të kundërligjshme duke ushtruar veprimtarinë e saj pa leje valide.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me ecurinë e këtij gjykimi.