QKUK - Foto: KALLXO.com

Nisin Hetimet Ndaj Katër Mjekëve Për Trajtim të Pandërgjegjshëm Mjekësor

Sipas aktvendimit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, V.Z, S.D, M.M dhe B.Sh, dyshohen se më 20 janar të vitit të kaluar në QKUK në Prishtinë kanë përdorur haptazi metoda të papërshtatshme të mjekimit me ç‘rast kanë shkaktuar përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të së ndjerës S.G.

Në aktvendimin për fillimin e hetimeve, prokuroria pretendon se e pandehura e parë nuk ka kërkuar mendim edhe nga mjekë të tjerë për të vendosur nëse e dëmtuara duhej të trajtohej nga fillimi në emergjencë apo në mjekim intensiv dhe ka nënvlerësuar ankesat e pacientes për reaksion ndaj transfuzionit të gjakut  dhe ka vazhduar me dhënien e gjakut duke vlerësuar gabimisht gjendjen shëndetësore të të dëmtuarës duke e anashkaluar konsultimin me transfuziologun e gjakut.

Prokuroria pretendon se e dyshuara ka vepruar në këtë mënyrë edhe pse e ka ditur se përkeqësimi i gjendjes së pacientes-të dëmtuarës ka ardhur pas marrjes së transfuzionit të gjakut.

Prokuroria në aktvendimin për fillimin e hetimeve pretendon se dyshuara kur e ka transferuar  të dëmtuarën në qendrën emergjente nuk e ka dërguar edhe qesen e gjakut  me të për të parë se çfarë gjaku i ishte dhënë të dëmtuarës duke e ditur se kemi grupe të ndryshme të gjakut.

Në aktvendimin për fillimin e hetimeve të prokurorisë pretendohet se e dyshuara e ka asgjësuar qesen e gjakut si provë kryesore në këtë rast.

Për të pandehurit e tjerë,  prokuroria pretendon se nuk vepruan protokolleve standarde për trajtimin e pacientes-të dëmtuarës pasi nuk japin rekomandimet e tyre për konsultë të transfuziologut pasi që të dëmtuarës i ishte keqësuar dukshëm gjendja gjatë marrjes së gjakut, në atë mënyrë që të gjithë nuk ndërmorën veprime për trajtimin e të dëmtuarës me terapi për reaksion post transfuziv.