Nisin Hetimet ndaj Adem Grabovcit

Lajmin për nisjen e hetimeve e bëri të ditur Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës me anë të një komunikate.

Sipas prokurorisë Adem Grabovci “ka shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij zyrtar për ta siguruar pushtetin politik dhe ndikimin mbi procesin e vendimmarrjes brenda institucioneve, agjencive qeveritare dhe ndërmarrjeve publike të Republikës së Kosovës”.

Prokuroria njofton se ka nisur hetimet, pasi sipas saj Grabovci “me dashje ka shkelur ligjet dhe procedurat e punësimit dhe përzgjedhjes së drejtorëve dhe anëtarëve të trupave menaxhuese të ndërmarrjeve publike, të agjencive të pavarura dhe institucioneve të tjera, duke siguruar në këtë mënyrë punësimin kundërligjor për një numër të caktuar të personave,”.

Prokuroria ka dyshim të arsyeshëm se Grabovci me këto veprime ka kryer në vazhdim veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje me me persona të tjerë të paidentifikuar deri më tani”.

Prokuroria po ashtu sipas komunikatës po e heton Grabovcin edhe për shkelje të statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës, pasi ai “në mënyrë të kundërligjshme ka mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve tjerë të vendit për punësim dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet tjera pozitive, u ka dhënë përparësi personave të favorizuar mbi bazat e përkatësisë së tyre politike gjatë punësimit nëpër institucionet publike të Republikës së Kosovës.

Prokuroria tregon se hetimet i ka nisur pas publikimit të bisedave të përgjuara në insajderi. Adem Grabovci ishte protagonisti kryesor i bisedave telefonike të përgjuara.

“Vendimi i prokurorisë për fillimin e hetimit është bazuar në publikimet e përgjimeve të bisedave telefonike të Grabovcit, në gazetën online “Insajderi”, si dhe në disa prova të pranuara nga EULEX-i, që në bazë të urdhrit gjyqësor janë realizuar gjatë zhvillimit të një hetimi tjetër kundër tij nga prokurori i EULEX-it,” thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale.

Insajderi filloi t’i publikojë përgjimet më 1 gusht, ndërsa ato janë duke vazhduar të publikohen.

Prokuroria bën me dije se hetimi ndaj Grabovcit është në fillim, ndërsa varësisht nga rezultati “në ndjekjen penale të prokurorisë do të përfshihen të gjithë personat tjerë për të cilët do të vërtetohet se kanë bashkëpunuar me të pandehurin Grabovci”.