Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan. Photo: Beta/Presidential Press Service/Pool photo via AP.

Në Shtator, Erdogan dhe 150 Biznesmenë Turq ‘Zbarkojnë‘ në Beograd

Gazeta serbe ‘Vecernje Novosti’ njoftoi të martën se Erdogan do të bëjë një vizitë zyrtare në shtator, me tema politike rajonale, energjetike dhe ekonomike në agjendë, por edhe çështje më të ndjeshme si shkollat që lidhen me Fetullah Gulenin, të dyshuarin për organizimin e grushtit të shtetit në Turqi.

Erdogan thuhet se do të arrijë në Beograd në fund të shtatorit, së bashku me dy aeroplanë që sjellin 150 biznesmenë turq.

Shkollat e Gylenit

Ambasadori turk në Beograd, Tanzu Bilgiç, tha më 14 korrik se ai shpreson që Serbia do të mbyllë të gjitha institucionet që dyshohen se janë të lidhura me klerin turk, Fethullah Gulen, i cili akuzohet nga autoritetet turke se ka qenë organizatori i grushtit të shtetit të dështuar në vitin 2016.

“Lëvizja Fetullah ka disa shkolla në Serbi, por gjithashtu disa OJQ, dhe ne e kemi diskutuar këtë me autoritetet serbe”, tha Bilgiç për televizionin B92.

“Ata janë një organizatë shumë e çoroditur, nuk jeni kurrë të sigurtë se çfarë mund të bëjnë ata, ata  po infiltrohen në institucionet shtetërore”, tha Bilgiç duke shtuar se mendon se qeveria serbe do të pajtohet me dëshirat e Ankarasë dhe do të mbyllë institucionet.

Zyrtarët serbë nuk kanë bërë asnjë koment për çështjen e Gylenit deri më tani.

Rrjedha turke

Pasi Rusia njoftoi anulimin e gazsjellësit në Rrjedhën e Jugut, e cila do të vinte drejt Serbisë, Rrjedha Turke e Ankarasë po shikohet në Beograd si një zëvendësim i mundshëm.

Po shqyrtohet mundësia që Rrjedha turke të dërgojë gaz nga Rusia në Turqi dhe pastaj në Evropë.

Megjithëse Serbia nuk është përmendur në planin zyrtar të publikuar në portalin e Gazprom, pasi Hungaria dhe Rusia nënshkruan një marrëveshje më 5 korrik për të zgjeruar tubacionin për të shkuar përmes Bullgarisë dhe Serbisë në Hungari, zyrtarët serbë po shpresojnë që Rusia po ringjallë ambiciet e mëparshme.

“Kjo është një mundësi e madhe zhvillimi për shtetin, ekonominë dhe industrinë tonë”, tha presidenti serb, Aleksandar Vuçiq për ‘Sputnik’ më 3 korrik.

Sanxhaku

Sanxhaku, që ndodhet në pjesën jugore të Serbisë, në kufirin me Malin e Zi, ku boshnjakët përbëjnë shumicën e popullsisë, mund të jetë një nga temat që do të diskutohen gjatë vizitës së Erdoganit.

Erdogan ka treguar interes në këtë rajon më parë, ai vizitoi qytetin e Novi Pazarit në Sanxhak në vitin 2010 dhe hapi një Qendër Kulturore Turke.

Gjatë një takimi midis Vuçiq dhe Erdogan në Pekin në muajin maj, presidenti turk tha se duhet të bëhet më shumë punë për projektet e përbashkëta të infrastrukturës, siç është autostrada midis qyteteve serbe Tutin, Novi Pazar dhe Sjenicë.

Pas përpjekjes së grushtit të shtetit në Turqi, banorët e Sanxhakut u mblodhën në numër në Novi Pazar në gusht të vitit 2016 për të mbështetur Erdoganin dhe për të parë një transmetim të drejtpërdrejtë të tubimit të tij në Stamboll.

Investimet

Siç ka raportuar ‘Vecernje Novosti’ të marten, vizita e Erdoganit mund të përfundojë gjithashtu marrëveshje konkrete të biznesit, pasi ai do të arrijë me 150 biznesmenë turq.

Gazeta sugjeroi se industria e tekstilit dhe privatizimi i Ilixhes serbe janë fusha në të cilat investitorët nga Turqia janë veçanërisht të interesuar.

Ministri serb i Tregtisë, Rasim Ljajiç tha në mars se katër kompani turke duan të hapin fabrika të tekstilit në Serbi.

Ai shpjegoi se investitorët turq vizituan qytetet serbe të Llazarevcit, Nishit, Kraljevës dhe Leskovcit dhe thanë se këtë vit janë regjistruar 23 kompani të reja turke në Serbi.

Refugjatët

Rruga Ballkanike, edhe pse e mbyllur zyrtarisht, mbetet një nga rrugët kryesore për refugjatët që të hyjnë në BE.

Sipas Ministrisë serbe për Çështje Sociale, në Serbi momentalisht janë rreth 5,000 refugjatë.

Përpara vizitës së Erdoganit, Vuçiq u takua të hënën në Beograd me kreun e Shërbimit Kombëtar të Inteligjencës së Turqisë, Hakan Fidan, dhe foli për sfidat e sigurisë me të cilat ballafaqohen të dy vendet.

Vuçiq tha se këto përfshijnë krizën e emigrantëve, si dhe kërcënimet terroriste në rritje.