Nëntogeri i FSK-së Studenti më i Mirë i Klasës në SHBA

Nëntogeri i FSK-së Genti Koçinaj ka marrë çmimin, studenti ndërkombëtar më i mirë i klasës, në SHBA

Nëntogeri i Forcës së Sigurisë të Kosovë (FSK), Genti Koqinaj, diplomoi në “Kursin Bazik të Oficerëve për Komunikim” në SHBA, ku si shpërblim për rezultatet e treguara gjatë këtij trajnimi, nga shefi i Shtabit të “Cyber Center of Excellence” në bazën Fort Gordon mori çmimin “Col. Alan C. Dexter”, çmim ky i cili i jepet studentit ndërkombëtarë më të mirë të klasës, që tregon performancë të jashtëzakonshme akademike dhe udhëheqëse.

Sipas komunikatës nga MFSK, nëntogeri Koçinaj, Kompania e Komunikimit të FSK-së, kursin bazik të oficerëve për komunikim e ka filluar nga data 22 Shkurt 2017 dhe e ka përfunduar më 21 Qershor 2017, në Shkollën e Sinjaleve të Ushtrisë Amerikane, në Fort Gordon, Georgia, ku pjesëmarrës kanë qenë 53 kadetë nga shtete të ndryshme të botës, si nga Amerika, Kosova, Hungaria, Arabia Saudite dhe Bosnja e Hercegovina.

Ky kurs SBOLC, ka qenë i ndarë kryesisht në dy pjesë: pjesa e njohurive të pergjithshme për oficer dhe pjesa e njohurive specialistike për fushën e komunikimit.

Pjesa e parë e kursit ka përmbajtur tema si: procedurat e udhëheqjes së trupave, menagjimi i trajnimit të njësisë, taktikat me njësi të vogla, operacionet paqeruajtëse, operacionet e mirëmbajtjes, operacionet me konvoj, navigim tokësor, kualifikim në gjuajtje me armë etj.

Ndërsa pjesa e dytë ka përfshirë temat, si: WIN-T (Warfighter Information Network – Tactical), IT essentials, Hyrje në Rrjeta, Siguria kibernetike, shpërndarja e energjisë elektrike, PVMU dhe roli i S6, CPOF, TOCNET dhe zhvillimi i karrierës së oficerëve të komunikimit. Dy javët e fundit të trajnimit kanë kulminuar me Planifikim të Ushtrimit Fushor dhe realizim të Ushtrimit Fushor 5 ditor.

Gjatë zhvillimit të këtij trajnimi pjesëmarrësit kanë marrë pjesë rregullisht në ushtrime fizike si dhe janë sprovuar me role dhe pozita të ndryshme, duke përfshirë këtu; S1, S2, S3, S4, S6, komandant togu, udhëheqës skuadre apo udhëheqës ekipi. Pas rezultatit të treguar nëntoger Koqinaj është caktuar dy herë në pozitën e komandantit të togut, pozitë kjo e cila zakonisht është e rezervuar vetëm për oficerë amerikan dhe jo ndërkombëtar.

Nëntoger Koqinaj, gjatë kësaj periudhe ka arritur që krahas këtij kursi të ndjek edhe trajnimin shtesë për Mbrojtje të Afërt Luftarake, ku është certifikuar për nivelin e parë të këtij programi. / 21 Media