Foto: Arkiv

Isa Mustafa: Trepça ka Hyrë në Rrugë të Sigurt

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, tha sot se me miratimin e Ligjit, Trepça ka marrë rrugën e vet dhe ardhmëria e saj është e sigurt.

Ai së bashku me disa ministra të qeverisë ka qëndruar të hënën në Trepçë ku është takuar me drejtuesit e menaxhmentit, përfaqësuesit e sindikatës dhe minatorët e saj.

“Vlerësuam bashkërisht se ardhmëria e Trepçës është e pa kthim, Trepça e ka marrë rrugën e vet, Ligji në mënyrën më të mirë e ka bërë zgjidhjen për perspektivën e Trepçës, dhe tani vetëm se duhet të punojmë që të përgatitemi që ne të implementojmë Ligjin posa ai të hyj në fuqi”, tha Mustafa.

Ai foli edhe për ankesën e dërguar në GJykatën Kushtetuese nga ana e deputetëve të Listës Serbe të cilët e kanë kundërshtuar ligjin e miratuar.

“Është e drejtë e të gjithëve që të bëjnë ankesa, t’iu drejtohen institucioneve kompetente të Republikës së Kosovës dhe kjo fare nuk e pengon Trepçën dhe neve që të vazhdojmë këtë rrugë, sepse ne jemi të përcaktuar që ta forcojmë Trepçën, që Trepçën ta organizojmë si korporatë moderne dhe Ligji pikërisht e mundëson këtë organizim të “Trepçës” në interesin e punëtorëve të saj dhe qytetarëve të Mitrovicës dhe gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, theksoi kryeministri Mustafa.

Ai u shpreh i kënaqur me statusin e minatorëve në Ligjin e ri i cili do të mundësoj tërheqjen e investimeve publike, private e të kombinuara, për procedimin e produkteve të Trepçës.

“Asnjë komunitet nuk mund ta sheh veten të rrezikuar, por e sheh veten të avancuar, sepse nuk kanë pasur shanse më përpara ta mendojë askush, se do të bëhet pjesë edhe pronësore e aseteve të Trepçës, ashtu siç ne tani e kemi rregulluar me Ligj”, tha ai.

Drejtori i kësaj ndërmarrjeje, Ahmet Tmava, vlerësoi se ligji është në interes të Trepçës, por mbi të gjitha është në interes edhe për vendin.

“Ne si Trepçë, si menaxhment, si punëtor, si sindikatë, e falënderuam kryeministrin dhe të gjitha institucionet të cilat kanë qenë të kyçura në kuadër të implementimit të këtij ligji, dhe tani më koha e entuziazmit për ne ka kaluar dhe i premtuam kryeministrit se me zyrtarizimin e ligjit, ne si punëtorë, si Trepçë, do të marrim të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë zhvillimore që na takojnë dhe pritjet e shumta të qytetarëve në shkallë vendi do t’i bëjmë realitet”, theksoi Tmava.

Gjatë kësaj vizite, kryeministri është takuar edhe me kryetarin e komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.