Punëtori që Humbi Krahun, Ankohet për Ndaljen e Rrogës

Besnik Beqiri po i kërkon pagat të cilat pretendon se ndërmarrja ku ai e la krahun, ia ka borxh.

Ai ishte lënduar në flotacionin e Kishnicës gjatë orarit të punës në tetor të vitit 2013 pasi krahu i tij kishte ngecur në shiritin transportues.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” kishte raportuar për rastin vetëm disa muaj pasi kishte ndodhur. Mirëpo, pas aksidentit që ai ka pësuar, Beqiri pretendon që atij po i bëhen shumë të padrejta.

Ai nuk po paguhet tash e 3 muaj, dhe këtë po e sheh si hakmarrje që po i bëhet nga menaxhmenti i Trepçës.

“Nuk po ma japin rrogën sepse e kam lajmëru Inspektoratin e Punës, Prokurorinë e Shtetit dhe Policinë në vendin e ngjarjes, kur ata kishin tentuar me ma ndërru vendin e punës ku jam lënduar unë”, thotë Beqiri për KALLXO.com.

Sipas tij, fajin kryesor për një gjendje të tillë e kanë drejtori i Trepçës, Ahmet Tmava, dhe drejtori i flotacionit “Kishnica”, Bislim Fetahu. Beqiri thotë se kur ka shkuar ta kërkojë rrogën nga drejtori i këtij flotacioni, ka hasur në kundërshtimin e këtij të fundit.

“Ai tha shko ta jep rrogën Inspektorati i Punës, Policia e Kosovës, dhe Prokuroria e Shtetit, ata që mi ke pru në Kishnicë”, shpjegon Beqiri.

Besniku thotë që ka bërë ankesa në Inspektoratin e Punës, mirëpo ata nuk i kanë kthyer asnjë përgjigje.

Ndërsa e ka denoncuar rastin, ai thotë se deri më tani asnjë seancë gjyqësore nuk është mbajtur.

“Nuk e di a është duke u marrë prokuroria me këtë rast. Drejtori po thotë qe mu s’ki çka me më bo me Prokurori as me Polici as  me Inspektorat të Punës, unë tash kur e ka thanë ai atë fjalë, po më doket as Gjykata s’është duke marrë asnjë hap”, thotë Besnik Beqiri.

Drejtori i Trepçës, Ahmet Tmava nuk ka pranuar të flasë për akuzat që i janë bërë duke thënë se nuk është përgjegjës për rastin e Besnik Beqirit, ndërsa drejtori i flotacionit “Kishnica” Bislim Fetahu thotë për KALLXO.com se Besnik Beqiri ka qenë duke marrë rrogë jashtë ligjit qe dy vjet sepse, sipas tij, me ligj parashikohet që personi që lëndohet në vendin e punës paguhet vetëm 6 muaj.

“Ne i kemi thanë me hy në punë si roje, në karrige, por s’ka dashtë, edhe në dorë të AKP-së është vendimi”, tha ai.

Sipas tij, Besniku nuk dëshiron as që të punësohet e as të marr pensionin e përkohshëm.

“Besnikut nuk i shkëputet vendimi për punë, është në dorën e tij, a donë me shku në pension të parakohshëm a don me ardhë në punë. Me vendim të AKP-së e ka, ose don me ardhë me zgjedhë cili vend i punës i përshtatet ose me apliku për pension të përkohshëm”, shprehet ai.

Ndërkaq Kryeshefi i Inspektoratit të Punës, Basri Ibrahimi tha se Besnik Beqiri nuk është ankuar tek ky Inspektorat .

“Nuk ka bërë ankesë tek Inspektorati i Punës, dhe në qoftë se ka bërë atëherë me ligj parashihet që ajo ankesë shqyrtohet brenda një muaji, mirëpo deri tani ajo ankesë nuk ka ardhur tek ne”, tha Ibrahimi.