Dardan Molliqaj në Debat pernime. Foto: Atdhe Mulla

Molliqaj i Quan Lehje Zagarësh Akuzat Ndaj Tij

Pak minuta pasi është përballur me akuza të hapura nga Abelard Tahiri Këshilltar i Presidentit Thaçi Dardan Molliqaj ka reaguar duke i quajtur të porositura dhe shpifje akuzat ndaj tij.

“Prej panikës së humbjes, Kadri Veseli përmes zagarit të tij Uran Ismailit, dhe Hashim Thaçi përmes zagarit tjetër Abelard Tahirit, qenkan lëshu me lehje e shpifje ndaj meje” ka shkruar Molliqaj. Ai tutje e ka paraqitur frazën e tij të njohur për hajnat në burg. “Këto lehje nuk mund ta ndryshojnë një fakt të thjeshtë: hajnat e kriminelët do të përfundojnë në burg “ka shkruar Molliqaj

Në një postim pasidtën e sotme Abelard Tahiri, këshilltar i Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, akuzoi drejtpërdrejt sekretarin e deridjeshëm organizativ të Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj, se qëndron prapa një numri të incidenteve shpërthyese të viteve të fundit në Prishtinë.

Në një postim në Facebook, Abelard Tahiri, i cili është edhe anëtar i kryesisë së PDK-së, e quajti Molliqajn “kriminel ordiner” ndërsa kritikoi organet e drejtësisë që e kanë lënë të lirë Molliqajn deri më sot.

Tahiri tha se vitet 2014-2017 kanë qenë “të rënda” për Kosovën për shkak të asaj që e quan dhunë të opozitës ndaj institucioneve.

“Kemi parë paaftësinë e institucioneve për të çuar përpara procese të rëndësishme, degradim të mëtutjeshëm të sistemit arsimor dhe shëndetësor, dhe në fund fare degradim dhe dalldisje totale të sistemit të drejtësisë”, tha Tahiri.

Sipas Tahirit, Molliqaj është përgjegjës për pesë nga sulmet për të cilat drejtësia nuk ka arritur ende t’i hetojë apo t’i gjykojë deri në fund.

Në këtë listë, Tahiri ia ka kredituar Molliqajt përgjegjësinë për organizimin e sulmit “me zollë” ndaj Kuvendit të Kosovës, akt ky terrorist dhe dhunim i sovranitetit të shtetit.

“Dardan Molliqaj është përgjegjës për vënien e bombës në RTK; Dardan Molliqaj është përgjegjës për organizimin e atentatit ndaj familjes së Drejtorit të RTK-së; Dardan Molliqaj është përgjegjës për korrupsionin dhe shitjen e lejeve të ndërtimit nga Komuna e Prishtinës; Dardan Molliqaj e di se në çfarë gjendje të rëndë është A.M. prej haraçit që ia ka vënë ai, mes tjerash, duke e detyruar që t’i paguajë edhe punëtorët e tij për të dalë në protestat e Vetëvendosjes”, tha Abelard Tahiri.

Përderisa në rastin e sulmit ndaj Kuvendit, procesi gjyqësor është duke u zhvilluar ndaj tre aktivistëve të Vetëvendosjes, grup në të cilin nuk bën pjesë Molliqaj, në rasti e sulmeve ndaj RTK-së dhe shtëpisë së drejtorit të përgjithshëm Mentor Shala, prokuroria ende nuk ka gjetur ndonjë të dyshuar.

“Këto janë disa nga të bëmat e Dardan Molliqajt, nga shumë që fliten e përfliten, që dihen e nuk dihen. Mirëpo, edhe ai do ta ketë një fillim të ri. Krimeve të tij do t’u vijë fundi. Të bëmat e tij, vetëm për këto tri vjet, në një vend me sistem funksional të drejtësisë, do t’ia mundësonin atij që një pjesë të mirë të jetës ta kalojë në burg”, tha ai.