Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan - Foto: REL/AP

Mediat Turke Lavdërojnë Kosovën për Ndalesën e ‘Mbrëmjes Kurde’

Mediat në Turqi e kanë mirëpritur vendimin e autoriteteve në Kosovë për ta ndaluar një ngjarje muzikore të quajtur “Liri për Kurdistanin” në mbrëmjen e së premtes në Prishtinë kushtuar kurdëve, duke thënë se mbajtja e saj “do ta shpërndante” propagandën terroriste.

NDËRLIDHUR

Policia e Kosovës ndaloi ngjarjen, të organizuar nga “Qendra Sociale Sabota”, duke e lënë të befasuar shumëkënd rreth arsyeve të ndalesës.

Policia të shtunën tha se kishin marrë informacione për një “aktivitet të paparalajmëruar” dhe se organizatorët nuk kishin marrë leje të duhur.

Policia tha gjithashtu se kishin informacione se individë të panjohur mund të tentonin të shkaktonin incident gjatë mbrëmjes i cili “mund të rezultonte me pasoja”.

Policia konfirmoi se kanë marrë në pyetje dy persona pasi te njëri prej tyre kishin gjtur një thikë, përderisa tjetri nuk kishte kartë identiteti.

Mediat turke thanë se ngjarja kishte për qëllim shpërndarjen e propagandës për Partinë Punëtore Kurde, PKK, e cila është duke luftuar kundër shtetit turk për disa dekada dhe Njësive për Mbrojtjen Popullore, YPG, e cila është themeluar në Siri nga kurdët lokalë.

Përderisa PKK është e njohur nga shteti turk, SHBA-të dhe shumë shtete europiane si organizatë terroriste, kjo nuk vlen për YPG e cila është një nga grupet më të mbështetura nga SHBA-të në Siri.

Megjithatë, Ankaraja thotë se kjo organizatë është asgjë më shumë se degë e PKK-së në Siri dhe që paraqet kërcënim për sigurinë e Turqisë.

Sipas agjensisë turke të lajmeve Anadolu, shoqata kosovare më 10 dhjetor kishte bërë fushatë në rrjete sociale kundër forcave të armatosura turke dhe operacionit të saj të vazhdueshëm në veri të Sirisë kundër forcave kurdë, si dhe kundër ISIS-it.

“Pas një njoftimi të bërë në mediat sociale nga ‘Qendra Sociale Sabota’, e cila planifikonte të propagandojë për organizatën terroriste YPG/PKK nën maskën e “Mbrëmjes Muzikore Kurde”, zyra e prokurorit kosovar urdhëroi që të ndalohet ky aktivitet”, raportoi kjo agjensi e lajmeve.

Gazeta turke Yenisafak më 11 shkurt citoi liderin e partisë turke të Kosovës, KDTP, dhe ministrin e Administratës Publike në qeverinë e Kosovës, Mahir Yagcilar, i cili e dënonte këtë ngjarje duke e përshkruar atë si provokim me anë të një deklarate me shkrim.

Yagcilar gjithashtu kërkoi nga qytetarët e Kosovës që t’i mënjanojnë aktivitetet e tilla të cilat do ta dëmtonin imazhin e Kosovës dhe raportet e saj me Turqinë, shkroi kjo gazetë.

“Paraqitja e një sjelljeje të tillë kundër mikut të vërtetë dhe indiferent të Kosovës, Turqisë, është e pabazë dhe e pakuptimtë. Në fakt, kjo është në dëm të Kosovës”, citohej të ketë thënë Yagcilar.

Një tjetër përfaqësues i komunitetit turk në Kosovë, deputeti i KDTP-së Fikrim Damka, në një deklaratë për Anadolu, shkoi edhe një hap më tej: “Duhet ta shohim nëse kjo shoqatë është e regjistruar në Ministrinë e Administratës Publike apo jo”, tha ai, duke shtuar se nëse nuk është kështu “ajo duhet të hiqet dhe të mbyllet”.

12 Shkurt 2018 - 23:08

BIRN 12/02/2018 - 23:08
NDËRVEPRIMI120
Prishtina Insight