Kërkohet Fshirja e Videos që Dëshmon Parregullsitë në Maturë

Monitorueses së KALLXO.com në shkollën “Gjin Gazulli” në Prishtinë i është kërkuar të fshijë një video-incizim në të cilin shihet një nxënës tek ndërronte testin me një nxënës tjetër.

Nxënësi i cili është filmuar duke e kryer këtë veprim, ka kërkuar fshirjen e videos me arsyetimin se po i prishet imazhi.

Në komunikimin të cilin ai e ka pasur me monitoruesen vetëm pak sekonda pasi është filmuar videoja, ai ka  paralajmëruar se ndaj saj mund të merren  masa nëse  videoja publikohet.

Në videon e publikuar shihet se si ky nxënës e merr testin e kolegut të tij, e mban mbi tavolinë, e pas plotësimit e rikthen te kolegu i tij.

Për sjelljen e nxënësit ndaj monitoruesit të KALLXO.com dhe veprimet e tij gjatë procesit të testimit janë njoftuar Policia e Kosovës, e po ashtu drejtoresha dhe menaxheri i Qendrës së Testimit në Shkollën “Gjin Gazulli”.

KALLXO.com do ndjek në ditët në vijim veprimet të cilat do i ndërmarrë Ministria e Arsimit ndaj nxënësit, e po ashtu administruesve të testit.