Arkiv | Foto: KALLXO.com

KDI: Mospjesëmarrja në Seanca e ka Zvarritur Punën e Kuvendit

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka vlerësuar se në legjislaturën e gjashtë ka pasur jo-efiçiencë dhe mungesë kuorumi, ndërsa e ka parë si shkaktar kryesor mos-pjesëmarrjen e deputetëve në seanca.

Artan Murati, nga ky institut, tha se kjo paraqet një nga problemet më të mëdha në mbarëvajtjen e punës së Kuvendit.

“Një nga problemet më të mëdha me të cilat është ballafaquar Kuvendi ka qenë mungesa e kuorumit ose mos-pjesëmarrja në votim. KDI shpesh e ka ngritur këtë si çështje, por kjo çështje duhet të marrë përgjigje institucionale. Duhet të përfshihen sanksione në Rregulloren e punës së Kuvendit”, tha ai.

Ai propozoi që të përfshihen sanksionet financiare, ku deputetët dënohen me zvogëlim page, apo që mos-pjesëmarrja të barazohet me abstenim, në mënyrë që puna e Kuvendit të bëhet më e shpejtë.

Ministrat, sipas tij, kanë munguar edhe në rastet kur janë ftuar.

“Në përgjithësi shohim se Kuvendi nuk është se ka pasur efikasitet të lartë të punës dhe në masë të madhe nuk ka arritur ta përfundojë apo ta kryejë si duhet as rolin e vet legjislativ, e as rolin mbikëqyrës… Ndonëse ka pasur raportim të kabinetit qeveritar rastet kanë qenë që (ministrat) nuk kanë ardhur menjëherë dhe apo nuk u janë përgjigjur ftesave të komisioneve parlamentare”, tha ai.

Mungesa e ministrave, sipas tij, është vërejtur edhe gjatë shtrimit të pyetjeve parlamentare.

KDI-ja konstatoi se në këta 6 muaj të punës së saj, legjislatura e 6-të nuk është treguar shumë efikase. Kjo periudhë e kësaj legjislature është karakterizuar me shumë pak ligje të miratuara, seanca plenare të stërngarkuara me pika të rendit të ditës e vazhdime të shpeshta, me mungesë kuorumi, me mospjesëmarrje në votim, e shpeshherë edhe me gjuhë e me veprime joparlamentare.

Përveç mungesave ai tregoi se ka pasur edhe vonesa, të cilat kanë qenë edhe më të shpeshta në komisione parlamentare.

“Është interesante që gjatë kësaj legjislature kemi vërejtur vonesa të shumta të deputetëve para fillimit të mbledhjeve të komisioneve parlamentare. Shpeshherë, kjo ka rezultuar edhe me mungesë të kuorumit ku është dashur të thirren mbledhje për një herë tjetër”, tha ai.

Murati tregoi se deri më tani janë miratuar 9 ligje, 5 prej tyre në vitin 2017 dhe 4 në këtë vit. 5 nga këto të fundit sipas tij, kanë pasur karakter financiar, por nuk kanë adresuar sfidat e përditshme të qytetarëve të Kosovës.

“Ligjet të cilat janë miratuar në masë të madhe nuk janë ligje të cilat rregullojnë çështje të ndryshme të qytetarëve në baza ditore”, tha Murati.

Sipas tij, ka pasur shumë seanca të shtyra në raport me seancat e rregullta të Kuvendit.

“Janë mbajtur gjithsej 24 seanca, prej të cilave 15 kanë qenë seanca plenare, 6 seanca të jashtëzakonshme dhe 3 seanca solemne… Në 20 raste, seancat plenare kanë vazhduar në ditë të tjera përveç ditës në të cilën janë paraparë. Nëse e marrim shifrën totale më shumë ka seanca të vazhduara në ditë të tjera sesa seanca plenare të reja”, tha Murati.

Ai u shpreh se kjo ka ndodhur për shkak të mbingarkesës së agjendës me pika të rendit të ditës.

“Në të gjitha këto seanca kanë qenë 139 pika të rendit të ditës prej të cilave, vetëm 59 kanë paraparë më vete shqyrtim të projektligjeve ose në total 42.4%”, tha ai duke deklaruar se ky paraqet numër të ulët në raport me përgjegjësinë e Kuvendit për miratimin e projektligjeve.

Artan Murati deklaroi se komisionet parlamentare kanë mbajtur 192 mbledhje.

Murati tregoi se më së shpeshti mbledhje ka pasur Komisioni për Zhvillim Ekonomik (20), Komisioni për Legjislacion (18), Komisioni për Buxhet e Financa (17).

Ndërsa, më së paku mbledhje ka organizuar Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (7), Komisioni për Bujqësi (10) dhe ai për të Drejtat e Komuniteteve dhe kthim (11).

Murati tha se ka pasur raste kur ministrat nuk u janë përgjigjur seriozisht ftesave të komisioneve parlamentare për raportim.