Nga konferenca në kuadër të Muajit Kundër Kancerit të Gjirit

Kanceri, Shkak i Vdekshmërisë së Lartë

Në kuadër të aktiviteteve për të shënuar Muajin kundër Kancerit të Gjirit, Bordi Nacional për Kontroll të Kancerit ka organizuar tryezë shkencore në të cilën u diskutuan metodat për diagnostifikimin dhe trajtimin e kancerit të gjirit.

Suzana Manxhuka- Kërliu, Dekane e Fakultetit të Mjekësisë, tha se kanceri është protagonist i vdekshmërisë së lartë këtë shekull.

“Rritja e numrit të rasteve të reja si dhe vdekjeve të regjistruara me neoplazi malinie varet në mënyrë të dukshme nga kushtet e jetës, nga përdorimi i dietës së papërshtatshme, alkooli, pirja e duhanit, drogërat…”, tha Manxhuka.

Ajo shtoi se kjo tryezë është organizuar për të shënuar muajin tetor si muaj të vetëdijesimit ndaj kancerit të gjirit, por edhe bordi i BNKK-së poashtu ka shpërndarë informacione mbi vetëdijesimin e popullatës për kancerin e gjirit përmes radiomesazheve të emetuara gjatë këtij muaji.

Ndërsa Zëvendësministri i Ministrisë së Shëndetësisë, Granit Abdullahu tha se duhet të veprohet drejt kombinimit që ka të bëjë me rritjen e kostos për trajtimin e kësaj sëmundje, gjithmonë duke pasur parasysh edhe ndikimet buxhetore.

“Ministria e Shëndetësisë tregon përkushtimi e saj në lidhje me zhvillimin e aktiviteteve të cilat realizohen në këtë drejtim, gjë që e ka përcaktuar edhe në dokumentin strategjik afatmesëm”, tha Abdullahu.

Sipas tij, në kuadër të objektivit të parë strategjike që ka të bëjë me ruajtjen e shëndetit të popullsisë, ndërlidhen edhe aktivitete që kanë të bëjnë me parandalimin dhe zbulimin sa më të hershëm të kësaj sëmundje.

Kjo tryezë vazhdoi me prezantime  për metodat e diagnostifikimit të kancerit të gjirit ,trajtimin e tij, numrin e rasteve me kancer të gjirit Kosovë nga ana e doktorëve të QKUK/SHSKUK-së.