Foto: Wikipedia

Gjykata serbe rrëzon rehabilitimin e liderit çetnik

Një gjykatë rrëzoi vendimin e shkallës së parë që rehabilitonte liderin çetnik serb të kohës së Luftës së Dytë Botërore Nikola Kalabiq, që ishte shpallur “armik u kombit” nga sistemi gjyqësor jugosllav, duke urdhëruar që çështja të ridëgjohet nga fillimi.

Gjykata e Apelit e Beogradit të premten e riktheu çështjen e Nikola Kalabiqit në Gjykatën e Valjevos, ku vendimi i shkallës së parë e rehabilitoi kreun çetnik të Luftës së Dytë Botërore, duke kërkuar që të përcaktojë nëse ai ka marrë pjesë apo jo në krime lufte.

“Kjo është sepse një person që ka kryer ose ka marrë pjesë në krime lufte nuk ka të drejtë rehabilitimi sipas ligjit”, konstatoi Gjykata e Apelit.

Gjykata e Apelit vendosi që Gjykata e Valjevos se duhet të përcaktojë rrethanat e vdekjes së Kalabiqit.

Kërkesa për rehabilitimin e Kalabiqit u paraqit në vitin 2012 nga mbesa e tij, Vesna Kalabiq që pretendonte se ai ishte vrarë nga autoritetet jugosllave të pasluftës për arsye ideologjike.

Çetnikët përfaqësonin interesat mbretërore serbe gjatë Luftës së Dytë Botërore, por humbën para partizanëve, të udhëhequr nga Josip Broz Tito dhe Partia Komuniste.

Kalabiq ishte komandanti i një njësie çetnike të quajtur Korpusi i Gardës Malore dhe u shpall “armik kombëtar” në një vendim të vitit 1946. Rrethanat e vdekjes së tij kurrë nuk janë vërtetuar.

Disa burime historike pohojnë se ai ishte një nga udhëheqësit çetnikë që më 26 nëntor 1943 përfunduan një marrëveshje formale bashkëpunimi me përfaqësuesin e komandantit ushtarak gjerman në Europën Juglindore, nënkolonelin Hans Felber.

Komisioni Shtetëror për Hetimin e Krimeve gjatë Luftës së Dytë Botërore siguroi një letër që daton nga prilli i vitit 1943, ku Kalabiq thuhet se diskuton vrasjen e nëntë civilëve.

Në një rast tjetër, Kalabiq i raportoi liderit çetnik Draza Mihailoviq se forcat e tij kishin vrarë disa njerëz, kryesisht romë, në fshatin Kopljare në Serbinë Qendrore.

Një vendim gjykate në qytetin e Mionicës në shtator 1946, e deklaroi Kalabiqin “armik kombëtar” dhe prona e tij u konfiskua. Gjykata e Lartë në Valjevo e rehabilitoi atë në vitin 2017.

Pasi eshtrat e tij nuk u gjetën kurrë, as vendi ku ai ishte varrosur, ai ka qenë zyrtarisht një person i zhdukur për 65 vjet. Në vitin 2011, Kalabiq u shpall i vdekur nga Gjykata Themelore në Valjevo.