Ish-drejtuesit e Ushtrisë Jugosllave, Nebojsha Pavkoviq, majtas, dhe Vladimir Lazareviq, të dy të dënuar nga Gjykata e Hagës. Foto: BETA.

Si u Bënë Heronj të Serbisë Kriminelët e Luftës?

Kriminelë lufte që kanë kryer dënimet e tyre janë shndërruar në pjesëmarrës aktivë në jetën politike në Serbi falë Qeverisë dhe medias, të cilat kanë vendosur ta harrojnë atë që ata bënë dhe t’i promovojnë ata si heronj.

“Askujt s’do t’i vijë kurrë turp nga këta njerëz,” deklaroi ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, këtë fundjavë në një tubim të ish-ushtarëve të Batalionit të Tretë të Ushtrisë Jugosllave.

NDËRLIDHUR

“Koha e turpit ka kaluar. Kjo është koha për të qenë krenarë,” këmbënguli ai.

Ky nuk do të konsiderohej si një event i jashtëzakonshëm nëse komandantët e nderuar nga Vulin nuk do të ishin kriminelë lufte të dënuar.

Në radhën e parë midis ish-ushtarakëve që u nderuan ishin Vladimir Lazareviq, ish-shefi i shtabit i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë Jugosllave dhe Nikola Shainoviq, ish-zv/kryeministër i Jugosllavisë.

Lazareviq dhe Shainoviq u dënuan nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë përkatësisht me 14 dhe 18 vjet burg për fushatën ushtarake në Kosovë që shkaktoi 11,000 shqiptarë të Kosovës të vrarë dhe rreth 700,000 të tjerë u dëbuan në Shqipërinë fqinje, Mal të Zi dhe Maqedoni.

Nuk ishte vetëm Qeveria serbe që po shprehte krenari për “heronjtë tanë”, por edhe zyrtarë në zyrën e presidentit serb Aleksandër Vuçiq.

Sekretari kryesor në zyrën e Vuçiçit, Nikola Selakoviq, tha në të njëjtin tubim se është “detyrë e Serbisë të nderojë profesionalizmin” e Batalionit të Tretë të Ushtrisë Jugosllave.

Kjo nuk është hera e parë që Vulini dhe Selakoviqi kanë treguar dashamirësi ndaj kriminelëve të luftës.

Në vitin 2015 ata organizuan një mikpritje prej heroi për Lazareviqin kur ai u rikthye në Serbi pasi kreu dënimin e tij.

Por kriminelët e luftës në Serbi nuk gëzojnë vetëm mbështetjen e ministrave dhe zyrtarëve të tjerë, por gjithashtu edhe të medias.

Pavarësisht detyrimeve të tyre për kodin e etikës, media serbe rrallë përmend të kaluarën e të dënuarve nga Gjykata e Hagës. Edhe pse shumë prej tyre janë shfaqur në televizion apo shtyp gjatë viteve të fundit, e rrallë është media që përmend të kaluarën e tyre kriminale dhe në vend të kësaj i prezanton ata si analistë, ish-gjeneralë ose këshilltarë.

Gjithashtu, nëse shikoni lajmet e fundjavës nga tubimi i ish-ushtarëve të Ushtrisë Jugosllave, nuk do të lexoni asgjë për veprimet e tyre të turpshme gjatë luftës në Kosovë.

Edhe televizioni publik serb, RTS, nuk e përmendi se cilët ishit këta njerëz që u nderuan me aq shumë krenari nga Vulini dhe Selakoviqi.

Por ata që ngrihen kundër mohimit të së kaluarës dhe rikthimit të kriminelëve të luftës në jetën publike, siç janë aktivistët e Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut, përballen me kërcënime, abuzime dhe madje edhe dhunë fizike.

Nën sloganet “Kriminelët e luftës nuk janë heronjtë tanë” dhe “Kriminelët e luftës të heshtin që viktimat të mund të flasin”, aktivistët e Nismës Rinore u përpoqën të parandalonin shfaqjet dhe fjalimet publike të ish-kolonelit të Ushtrisë Popullore Jugosllave Veselin Shlivançanin dhe ish-kryetarit të parlamentit serb të Bosnjës Momçilo Krajishnik, të dy të dënuar për krime lufte nga Gjykata e Hagës.

Aktivistët u rrahën dhe kërcënuan, por sulmuesit e tyre s’u kapën kurrë.

Ndërsa Serbia përparon në rrugën e saj drejt BE-së, duke pretenduar se po respekton sundimin e ligjit dhe se po përmbush kriterin e anëtarësimit, kur vjen fjala te ndjekjet penale të krimeve të luftës dhe ballafaqimi me të kaluarën, ajo s’po bën asnjë progres.

Gjyqet në vend të krimeve të luftës kanë ngecur në një ngërç ligjor të shkaktuar nga fakti se kryeprokurori i krimeve të luftës nuk u emërua për një vit e gjysmë.

Numri i datave të gjyqeve është ndër më të ulëtit që kur u krijua zyra e prokurorisë për krimet e luftës në vitin 2003, ndërsa u bënë tre vjet që nuk ngrihet asnjë padi për krime në Kosovë.

Ajo që është gjithashtu shqetësuese është se kjo prirje jehon edhe në vendet e tjera të ish-Jugosllavisë. Në Bosnje, Fikret Abdiq, i cili kreu dënimin e tij me 15 vjet burg për krime lufte, tani është kryetar komune, ndërsa të tjerë që përballen me akuza për krime lufte në Bosnjë dhe Hercegovinë gjithashtu mbajnë poste politike. BIRN shkroi gjerësisht për ndikimin e tyre politik në vitin 2016.

Komuniteti ndërkombëtar është munduar shumë në ngritjen e Gjykatës së Hagës, e cila do të mbyllet në fund të këtij viti, por nuk arriti të trajtonte çështjen e rehabilitimit të kriminelëve të luftës dhe riintegrimin e tyre në shoqëri.

Kur veprat e kryera nga kriminelët e luftës, si Vladimir Lazareviq dhe Nikola Shainoviq, nuk përmenden në arenën publike dhe ata risillen si heronj, është e qartë se problemet serioze vazhdojnë.

Siç tha kryeprokurori i Gjykatës së Hagës Serge Brammertz në raportin e tij të fundit në OKB, nacionalistët në vende të ndryshme të ish-Jugosllavisë ende besojnë në pafajësinë dhe viktimizimin e tyre.

“Mesazhi i mohimit dhe revizionizmit është i zëshëm dhe i qartë,” tha Brammertz. “Ne i njohim viktimat tona, por jo tuajat. Kriminelët tuaj të luftës janë heronjtë tanë.”

 

09 Tetor 2017 - 14:47

Marija Ristic, BIRN 09/10/2017 - 14:47
NDËRVEPRIMI15

Si u Bënë Heronj të Serbisë Kriminelët e Luftës?

by Kallxo
NA NDIQNI

Send this to a friend