Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin. Foto: Milos Miskov/Beta.

Ministri Serb Riathekson Vlerësimin për Kriminelët e Liruar të Luftës

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, kundërshtoi kritikat nga ambasadori i ShBA-së në Beograd, Kyle Scott, i cili tha se përkrahja e Vulinit për kriminelët e dënuar të luftës Vladimir Lazareviq dhe Nikola Shainoviq mund të dëmtojë përpjekjet për të përmirësuar imazhin e Serbisë.

“Jam i habitur që ambasadori nuk shikon mundësinë e dëmtimit të imazhit apo të kërcënimit të marrëdhënieve ndërkombëtare nga fakti që ish-gjenerali kroat Ante Gotovina është këshilltar në qeverinë kroate apo në lirimin nga akuzat të ish-komandanit boshnjak në Srebrenicë Naser Oriq,” tha Vulin.

Si Gotovina ashtu edhe Oriq u liruan nga akuzat për krime lufte kundër serbëve.

Kritika e ambasadorit amerikan për Vulinin erdhi pasi ministri foli në një tubim të ish-ushtarëve të Batalionit të Tretë të Ushtrisë Jugosllave të shtunën e kaluar.

Në tubim morën pjesë kriminelët e dënuar të luftës Vladimir Lazareviq, ish-shefi i shtabit i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë Jugosllave, dhe Nikola Shainoviq, ish-zëvendëskryeministër i Jugosllavisë, të cilët u rikthyen në Serbi pasi vuajtën dënimet e tyre.

Vulin tha në fjalën e tij se Serbia nuk do të turpërohet më nga ata që “e mbrojtën” atë dhe se ka ardhur koha që “të jemi krenarë” për këtë.

Një raport i “Associated Press” mbi eventin që u ripublikua nga gazeta e përditshme “Washington Post” në ShBA, tha se komentet e Vulinit “tregojnë sfidën në rritje të Serbisë ndaj Perëndimit”.

Partia e Vulinit, Lëvizja Socialiste, tha në një përgjigje se “Washington Post” është “një gazetë amerikane që promovon veprimet kriminale të NATO-s”.

Ambasadori amerikan Scott ripostoi në “Twitter” artikullin e “Washington Post”, duke komentuar se muaj të tërë punë për të përmirësuar imazhin e Serbisë në Shtetet e Bashkuara mund “të dëmtohen nga një deklaratë e vetme”.

Duke iu përgjigjur Scott, ministri Vulin tha se Serbia “nuk shkaktoi luftërat” në ish-Jugosllavi dhe se ish-gjenerali Lazareviç tani është “një njeri i lirë”.

“Mos duhet të lavdëroj bombardimin që NATO bëri në Jugosllavi dhe të kërkoj të justifikoj shkëputjen e Kosovës? Nuk di ndonjë ushtri që do ta denonconte gjeneralin Lazareviq dhe do t’i vinte turp nga ai, dhe sigurisht që s’do të më vijë mua turp,” tha Vulin.

Kjo s’është hera e parë që autoritetet aktuale serbe kanë shprehur admirim për kriminelët e luftës.

Ish-koloneli i Armatës Popullore Jugosllave, Veselin Shlivançanin, i cili u dënua nga Gjykata e Hagës për përgjegjësinë për masakrën e Vukovarit të vitit 1991, ka qenë folës në eventet e organizuara nga Partia Progresive në pushtet e presidentit serb Aleksandër Vuçiq.

Libri i Shlivançanin, i titulluar “Në shërbim të atdheut”, gjithashtu është planifikuar të promovohet në një event që do të mbahet në Beograd të premten, gjë e cila u dënua nga grupi i aktivistëve Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut.

“Në ditët kur kriminelët e luftës si Lazareviqi dhe Shainoviqi po kremtohen nga lidershipi shtetëror, institucionet serbe dhe ato të Beogradit po hapin përsëri vend për një kriminel lufte të dënuar,” tha në një deklaratë Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut.

Ndërkohë, Vladimir Lazareviq u prit si hero kur u kthye në Serbi pasi kreu dënimin e tij me burg.