Foto nga Marshi për Zejnepe Berishën. Foto: Atdhe Mulla

Seksi i Dytë

Historia e Zejnepes është një copë historie nga historia e qytetërimit botëror dhe një copë historie nga historia e qytetërimit shqiptar. Ligësia që merr fytyrën e burrit duke i marrë gruas tagrin mbi jetën, është histori e vjetër dhe një histori që fatkeqësisht nuk sos.

Jo rrallë lexojmë e dëgjojmë për gratë që vriten nga burrat, nganjëherë edhe mblidhemi e ngremë zërin për ato. Zejnepe Berisha, Diana Kastrati, dhe gra të tjera të paemra rrinë nën dhe, me jetën e prerë në mes.

NDËRLIDHUR

Ndonëse vdekja është “e paraparë” t’i vijë njeriut me fytyrën e vet, me fytyrën e saj të zakonshme, ajo nganjëherë di të vijë edhe me fytyrë njeriu, i cili mbase e konsideron vrasjen e tjetrit si “çlirim” nga jeta. Këtu kemi tjetrin, atë burrin që ia merr tagrin mbi jetën. Një nga filozofët më të mëdhenj të shekullit XX (Njëzet) Martin Hajdegger na kujton se vdekja është akti më personal i njeriut, eksperienca më e mëvetësishme: “secili individ vdes në vdekjen e vet”. Në rastet e vrasjeve njeriut i merret e drejta ta njohë vdekjen në mënyrën e vet, duke ia privuar të drejtën e jetës.

Kësaj gruaje (Zejnepe Berishës) i është vjedhur e drejta themelore e njeriut. Por, çdo akt fsheh një të vërtetë dhe momenti i tij mund të jetë mbyllja e një historie.

Kjo grua e vrarë dhe të tjera para saj ishin pjesë e një shoqërie patriarkale, asaj shoqërie në të cilën filozofja dhe feministja Simone de Boauvoir e gjen femrën të perceptuar si “tjetri”, e dyta pas mashkullit, apo seksi i dytë që konsiderohet e trajtohet si “i pari”, kategorizuar në “gjininë e përkryer” dhe “gjininë inferiore” (The second sex – seksi i dytë) 1949; Libri bazë i filozofisë feministe, i cili e shkruan trajtimin e gruas përgjatë historisë). Pa dashur të hyjmë terrenit të feminizmit, por lidhur me pozitën që femra zë në këtë shoqëri, ekzistenca e së cilës është e varur nga seksi i parë, mashkulli, që përherë ruan primatin, pretendon ta ketë edhe tagrin. Duke qenë femër e dalë nga një ambient konkret, si pjesë e tërësisë së sociumit patriarkal shqiptar, ajo jep fatin e gruas së kohëve që mendohen si të mbaruara, por rrojnë kudo rreth nesh.

Femra kosovare, ajo e ambienteve rurale dhe urbane, ajo e ambienteve tradicionale, ambienteve që përbëjnë një pjesë të mirë të kësaj shoqërie, është rritur dhe edukuar duke mësuar se çfarë duhet të jetë në jetë; çfarë roli guxon ose nuk guxon të ketë; është njeriu që e mëson që herët historinë personale “ashtu siç ia kanë shkruar”, e mbi këtë mësim duhet të plotësojë planprogramin. Ajo është femra që para e mbi gjithçka, duhet të mësojë “qysh me rrnue me faqe të bardhë!”.

Ndaj, është e pamundur ta shohësh këtë rast duke i qëndruar indiferente jetës nëpër të cilën ka kaluar femra shqiptare, presionit mbi të, qenies së shtypur e të traumatizuar, qenies që i vret dëshirat e veta, e përulur karshi sistemit të normave etike e morale. Është e pamundur ta kuptosh dhunën mbi gruan duke i qëndruar indiferent fatit të saj, që gjithnjë mbajti veshur rolet sociale, pa guxuar kurrë të zhvishet e të jetë vetëm vetja.

Nëse për një pjesë të mirë të shoqërisë shqiptare, një grua individuale është e pamjaftueshme dhe e papranueshme si e tillë, punë e madhe pse ndodhet në një fatkeqësi: ne i lëmë të vdesin, sepse gjithnjë jemi të bindur se ajo kishte një faj. Nuk është vrasja si akt, në këtë rast, por dënimi i ulët i kryerësit të vrasjes, ai që lëshoi alarmin. Dhe kjo vetëm sa e rrit fatkeqësinë e një plage të shoqërisë, sepse gra të pambrojtura rrojnë gjithkah nëpër ambientin tonë, edhe gra që vetëvriten, të detyruara ta mbyllin jetën vetëm për hir të etikës e moralit njerëzor-shqiptar.

Në jetë, dhe gjatë punës sime si gazetare, kam takuar plot gra që rrëfejnë, por s’kanë pasur veshë që i dëgjojnë, kam takuar gra që kanë frikë të rrëfejnë dhunën mbi to; gra që e kanë humbur edhe kuptimin e rrëfimit mbi jetën e tyre; gra që më nuk besojnë në një derë dhe në një mundësi të dytë.

Dy janë arsyet themelore: mendësia e familjes dhe e rrethit dhe sigurisht ekonomia dhe pavarësia financiare, që u pamundëson të jenë të pavarura. Duke qenë në kushte të tilla, shumica mbesin të ngujuara në ambientet e dhunës. Të ikësh e të rrosh nëpër qendra sociale nuk është zgjidhje, sepse hyn e del bosh, pa gjetur asnjë zgjidhje. Çka pastaj? Shumë nga gratë e dhunuara fizikisht e psikikisht janë detyruar të kthehen te dhunuesit e tyre, në mungesë të një kulmi mbi kokë dhe të drejtës së mbajtjes së fëmijëve.

Duke qenë të familjarizuar me mendësinë shqiptare dhe duke njohur pushtetin e saj, mund ta kuptojmë se përfundime të tilla tragjike nuk vijnë për një ditë, pa pasur një histori të keqe mbrapa. Duke e ditur fatin e femrës shqiptare që ishte dhe vazhdon të jetë mes tehut të etikës dhe ekzistencës, përfundime me skenar të keq janë të pritshme. Nëse gruaja si qenie individuale nuk ka ekzistuar në historinë e njerëzimit deri vonë dhe në shumë raste akoma nuk ekziston në sociumin tonë, zërat e këtyre grave janë zërat e humbur nëpër kohë, zërat e historive të humbura që kthehen të kumtojnë.

Gra që janë heroina të jetës së tyre janë të rralla, një pjesë e madhe janë viktima të saj. Meqë në këtë histori preket thellësisht e drejta e jetës dhe liria e vendimmarrjes, nëse mbështetemi në leksikun e ekzistencialistëve do të thoshim se kjo grua e vrarë ka pasur “fatin e keq”,  fatin e keq nën ombrellën e të cilit qeniet lejojnë të drejtohen nga identitete të jashtme që kësaj here ishte një dhunues dhe vrasës.

Nëse kjo grua, Zejnepja, nuk ka mundur ta kërkojë lirinë si rezultat i faktorëve socialë, ekonomikë, familjarë dhe si pasojë ta ketë të paimagjinueshme fuqinë e vendimmarrjes, ajo që të paktën do të duhej të fitonte emri i saj do të duhej të ishte drejtësia. Por jo, në një ambient ku femra e abuzuar nuk “guxon” të pretendojë të jetojë e lirë as e vdekur, nuk pretenduaka të prehet rehat. Ky do të duhej të ishte një alarm shurdhues për drejtësinë kosovare, sepse një kulturë çfarë e pretendojmë është larg realitetit tronditës. Të mos e dënosh krimin, është gjysma e kryerjes së tij.

26 Prill 2017 - 14:49

Blerina Rugova Gaxha 26/04/2017 - 14:49
NDËRVEPRIMI0