Albulena Haxhiu: Për rastin e dhunës në Prizren kam raportuar Policinë dhe Prokurorinë, dhunuesit do ndëshkohen

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu përmes një shkrimi në rrjetin Facebook është shprehur e shqetësuar me dhunën fizike ndaj grave, vajzave e fëmijëve.

Haxhiu potencoi se për rastin e dhunës së ushtuar ndaj një vajze të mitur në Prizren ka raportuar policinë dhe prokurorinë.

“Çdo formë e dhunës ndaj vajzave, grave dhe fëmijëve, duhet trajtuar seriozisht dhe menjëherë. Për rastin e dhunës fizike në Prizren, kam raportuar policinë dhe prokurorinë dhe pres që institucionet ta trajtojnë me prioritet këtë rast, dhe viktimat e qytetarët të sigurohen se dhunuesit do të ndëshkohen”.

Haxhiu tutje potencoi se dhuna është rrënjosur thellë në shoqëri saqë ushtrohet edhe publikisht.

“Jam jashtëzakonisht e shqetësuar me dhunën fizike dhe emocionale të ushtruar ndaj grave, vajzave e fëmijëve. Fatkeqësisht është rrënjosur aq thellë në shoqërinë tonë, sa dhunuesit mund ta ushtrojnë atë publikisht, pa asnjë pikë problemi. Nëse dhunuesit dhunën fizike e ushtrojnë edhe publikisht, e marrim me mend se çka ndodhë prapa dyerve të mbyllura”, ka shkruar Haxhiu.

Kallxo.com të mërkurën publikoi pamje, ku shihej një burrë derisa ushtronte dhunë fizike ndaj një vajze të mitur në qytetin e Prizrenit.

Lidhur me rastin, policia ka nisur hetime dhe personi I dyshuar së bashku me viktimën janë intervistuar në stacionin policor.

Sipas zëdhënësit të Policisë – Prizren, Shaqir Bytyçi, i dyshuari është prindi i vajzës.

Po ashtu, edhe nga Prokuroria e Prizrenit kanë konfirmuar për KALLXO.com se kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme ligjore rreth rastit.

Prizren, burri e rreh vajzën para syve të disa personave