Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi bën nderime pranë pllakës përkujtimore me emrat e serbëve të vrarë nga, siç shkruan, “terroristët shqiptarë“ – Foto: Presidenca e Kosovës.

Rruga e Vështirë Deri te Pajtimi

Derisa të fortit bien e të tjerë ngrihen, ndryshojnë zakone e vlera, qenie të reja politike duken e të vjetra zhduken, koha në Ballkan ngec në mënyrë të panatyrshme. Në këso statusesh rrinë edhe marrëdhëniet Serbi-Kosovë, si një motor i ngecur që vazhdon e çirret.

Kanë kaluar 18 vjet nga lufta e gjatë, por kufijtë që ndajnë dy shtetet janë buzët e një plage të hapur që dhemb fort, plagë që shpërfytyron jo vetëm dy shtetet e sotme, por gjithë historinë e tyre. Kur them kufij nuk i referohen vetëm kufijve gjeografikë, por ka pikëpamje shumë më të gjerë se kaq, ajo përfshinë ndasitë identitare, gjuhësore, kulturore, sociale në tërësi.

Kanë kaluar disa vjet nga mbarimi i luftës në Kosovë, disa vjet nga mbarimi i luftës në Bosnjë, e pothuaj aq edhe nga lufta në Kroaci, por pajtimi në mes të këtyre vendeve, tash të pavarura, ka ngecur në mënyrë të panatyrshme. Toleranca si parakusht i normalizimit të marrëdhënieve është e larmishme. Ajo do kohë e është udhë e gjatë. Por, kjo udhë nuk shtrohet me etosin nacionalist.

Një pjesë e mendimit serb, megjithëse e di historinë, qëllimisht shprehen si të keqinformuar në lidhje me Kosovën. Duket se për ta funksionojnë disa ligje absolute të pafajësisë.

“Sulmi barbar i NATO-s mbi civilët serbë”, “Agresioni i NATO-së mbi qytetarët serbë e infrastrukturën”, “Krimet e NATO-së ndaj serbëve”, janë disa nga kryetitujt në disa media në Serbi. Janë kjo pjesë e mediave serbe të cilat në vazhdimësi e ushqejnë njeriun e vet (lexuesit) me turli rrenash e historish, me turli akuzash për “padrejtësitë e shqiptarëve ndaj serbëve të Kosovës”, në 18 vjetorin e bombardime të NATO-s ndaj Serbisë. Kjo vijë ndarëse e historisë, megjithëse e një fuqie të jashtëzakonshme, duket e pamjaftueshme për një rrëfim objektiv dhe vetëdije të re mbi të kaluarën.

Emra e mbiemra fyes pushtojnë titujt e disa mediave serbe (jo të gjitha), duke e shndërruar në spektakël të ulët një ngjarje tragjike të së kaluarës.

18 vjet janë pak për t’u mbyllur plagët, por mjaftueshëm për të vazhduar tutje. Mjaftueshëm për të mos qenë kaq të përçarë e të copëtuar. Mjaftueshëm për t’i ikur sëmundjeve politike, mjaftueshëm për të parë me sy të drejtë provat e historisë, katastrofat e shpresat përtej saj.

Karshi udhëheqësve të politikës mjerane, gazmori e popullori Beli, (Ljubiša Preletačević – Beli) gjen humorin e hollë për t’i thënë të vërtetat që një pjesë e madhe e serbëve nuk i thonë. “Legjendari i bardhë” i politikës serbe kërkon votën për president që të sjellë paqe e qetësi në rajon. “Boll me luftë! Lufta na ka sjellë gjëra të këqija të gjithëve në Ballkan”. Humori i hollë e ironia e tij sikur duan të japin një mësim se koha ecën para.

Por, megjithatë, për serbët e politikës së vjetër koha e atdheut ngec.

E gjithë marrëdhënia e ndërmjeme përbën një teatër të madh e të vetëdijshëm për situatën paradoksale të dy vendeve që janë më shumë se dy qendra – janë pasqyrë artificiale e gjeniale e realiteteve tona.

Në internet mund të gjesh me qindra linqe që flasin për ndryshimet politike në “tokën e nemur” (Ballkanin Përendimor), për luftërat në ish-Jugosllavi apo luftërat për pavarësi. Mund të lexosh me dhjetëra emërtime të këtij apo atij komuniteti, minoriteti, popullate me përkatësi kombëtare, fetare e turlifarë. Mund të lexosh faqe të shumta rreth raporteve ndërmjet serbëve e shqiptarëve, ndërsa pazarin e luftës do ta gjesh gjithnjë nga disa burime, me numra krejtësisht të ndryshëm. E vërteta e raporteve të ndërmjeme megjithatë duket sikur është fshehur në skajin e thellë të vetëdijes publike.

Por a kanë qenë mëkatet e serbëve aq të mëdha sa që sot është i paimagjinueshëm një normalizim i këtij komunikimi? A është vrarë komunikimi ndërmjet popujve të Ballkanit, posaçërisht ndërmjet shqiptarëve dhe të tjerëve? A është e mundur që serbët ta kenë instrumentalizuar tej mase politikën, median, shkencën dhe dijen në luftën e tyre kundër shqiptarëve si komb, dhe prandaj komunikimi ndërmjet popujve është një proces që do të zgjasë…

Problemet e komunikimit dhe të njohjes së ndërsjellë të shqiptarëve dhe të popujve të tjerë, sidomos me serbët janë të thella, të vjetra dhe janë të kushtëzuara nga shumë faktorë. Marrëdhëniet janë të freskëta nga një luftë e gjatë e Serbisë me shqiptarët.

Qëndrimi që ka mbajtur shteti serb, kisha, por edhe një pjesë e shkencës, artit dhe publicistikës serbe, për pothuaj 200 vjet ndaj shqiptarëve dhe qenies së tyre apo edhe krijimtarisë së tyre, ishte plotësisht antinjerëzore, antishkencore e me pseudovlera qoftë të artit apo të publicistikës. Përfundimisht problemet e njohjes janë më të thella se sa që duken. Janë konceptuale dhe kjo është vështirë e korrigjueshme, qoftë edhe me programe ‘made in Europe”.

Akademitë e shkencave, si ajo serbe, shoqatat e politologëve, filozofëve, publicistët dhe krijuesit, e kanë pothuaj një mision të pamundshëm që ta korrigjojnë qasjen historike antinjerëzore dhe urrejtjen e të tjerëve ndaj shqiptarëve. Kjo është çështje e vetëdijes dhe mentalitetit që kërkon kohë për t’u ndryshuar. Ndoshta ky do të jetë një mision i brezave që vinë! Fillimisht do të duhej ndryshuar mendësia dhe duhet kërkuar falje. Falje ndaj njerëzve që ua kanë humbur jo vetëm jetën fizike por dhe atë shpirtërore.

Ballkani, kjo “tokë e nemur” për të gjithë qytetarët e vet, dhe gjeneratat që e bartën në shpinë shkatërrimin e saj, mund të mos jetë kaq e nemur po të provohej të dilej jashtë kornizës së ‘mallkimit’ historik e gjeografik.