Andrew Russell, Përfaqësues i Përhershëm i UNDP-së dhe Koordinator i OKB-së për Zhvillim.

Rruga e Gjatë Drejt Prosperitetit në Kosovë

Dje, më 24 shkurt 2016, Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, UNDP, festoi 50 vjetorin e themelimimit. Kjo datë është shënuar në të gjitha vendet ku ne jemi prezent, diku më gjatë e diku për kohë më të shkurtër por me shpresë që jemi pjesë e ndryshimeve pozitive kudo që ndodhemi. Ky shkrim është kontributi im për këtë datë të shënuar dhe një reflektim personal i të arriturave tona në Kosovë.

Lajmet e fundit nga Kosova kanë qenë të zymta. Tensionet mes koalicionit qeverisës dhe opozitës janë në rritje me protesta të vazhdueshme publike kundër marrëveshjeve të fundit me Serbinë dhe Malin e Zi.

Por të bëjmë një hap prapa dhe të shikojmë anën tjetër të tregimit.

Në vitin 1999, pas një dekade të konflikteve në Ballkanin Perëndimor, paqja u kthye në Kosovë. Mes viteve 2000 dhe 2010, ekonomia e Kosovës është rritur më shpejtë se mesatarja e Evropës. Bashkësia ndërkombëtare ka ndihmuar në rivendosjen e sigurisë, rehabilitimin e infrastrukturës, dhe në krijimin dhe fuqizimin e institucioneve publike. Dhe partnerët tonë kosovarë kanë investuar burime te konsiderueshme në reduktimin e varfërisë, hapjen e vendeve të reja të punës, dhe përmirësimin e mirëqenies.

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) filloi punën e vet në Kosovë në gusht të vitit 1999. Këtë vit, ne do të festojmë përvjetorin tonë të 17-të. Në fillim, ne kemi qenë të përqëndruar në rindërtimin dhe rehabilitimin emergjent: ndërtimin e shtëpive, shkollave dhe qendrave shëndetësore, dhe rikthimin e energjisë elektrike për bashkësitë. Mijëra armë janë asgjësuar. Ndihmuam themelimin e një gamë të gjerë të institucioneve publike, krijuam mbi 10,000 vende të reja pune, dhe i ndihmuam Kosovës që të merr hapat e parë të saj drejt arritjes së qëndrueshmërisë së mjedisit.

Unë arrita në Kosovë në vitin 2013. Që nga ajo ditë, unë kam qenë i frymëzuar nga shpirti dhe potenciali i saj rinor. Së shpejti kuptova që, nëse Kosova nuk i fuqizon dhe këshillon të rejat dhe të rinjtë e saj, ajo mund të bjerë pre e një përzierje të rrezikshme të papunësisë, rritjes së zhgënjimit dhe rritjes së ekstremizmit. Si rezultat, shumë nga të arriturat që nga viti 1999 do të mundeshin vërtet të hidheshin tutje, “në ujë”.

Dhe vërtet, aq shumë njerëz të rinj që kam takuar janë jashtë shkollës dhe të pa punë. Shumë prej tyre, edhe kur janë të angazhuar në ndonjë lloj të arsimimit, nuk janë në gjendje të përshkruajnë se si do të duket e ardhmja e tyre. Afër 70 përqind të Kosovarëve janë nën moshën 35 vjeçe, por një numër relativisht i ulët i tyre e din se si është të kesh një vend punë. Vetëm 40 përqind të meshkujve në moshë pune, dhe 13 përqind të femrave në moshë pune janë të punësuar. Shumica e tyre e kanë bërë të qartë, në sondazhet e opinionit publik të UNDP-së të cilat publikohen çdo gjashtë muaj, që ata mendojnë se Kosova është duke shkuar në drejtim të gabuar, si politikisht ashtu edhe ekonomikisht.

Në vitin 2015 – duke u bazuar në një përvojë më të gjatë se një dekadë në krijim të punësimit – ne ndihmuam në krijimin e 1,000 vendeve të reja të punës me fokus të theksuar tek femrat, të rinjtë dhe bashkësitë pakicë.

Por, ngjarjet e fundit në Prishtinë janë një tregues që ne kemi ende një rrugë shumë të gjatë për të kaluar. Ne po përpiqemi të kuptojmë më mirë se çka do të ishte e nevojshme për të integruar edhe më shumë të rinj në ekonomi, dhe të nxisim gjenerata të reja të sipërmarrësve. Për femrat, kjo gjithashtu nënkupton edhe përmirësimin e qasjes në kredi, tejkalimin e barrierave kulturore të posedimit të pronës, dhe eliminimin e dhunës brenda dhe jashtë bashkësisë familjare.

Kemi edhe shumë sfida para nesh. Shpresoj që, së bashku, do të arrijmë të ndërtojmë një vend për lakmi ku të gjithë kosovarët do të jetojnë një jetë më të mirë.

Andrew Russell është Përfaqësues i Përhershëm i UNDP-së dhe Koordinator i OKB-së për Zhvillim