Prapaskenat e përplasjes së kryeshefit Hajdari me ministrin Rikalo

Ministri serb i Qeverisë së Kosovës, Nenad Rikalo, partia e të cilit kishte deklaruar që ka dalë nga koalicioni, e ka suspenduar nga pozita e kryeshefit të AZhB-së, Elhami Hajdarin.

Rikalo në vendim ka përmendur dy arsye për suspendim, por Gazeta Jeta në Kosovë ka gjetur se prapa suspendimit fshihet edhe një përplasje në mes të dy protagonistëve rreth një granti prej 165 mijë euro.

Këtij mospajtimi i paraprin një vendim i ministrit Rikalo për të bërë një super-ekspertizë për rastin e një kompanie të Kosovës që nuk kishte arritur t’i përmbushë obligimet kontraktuale me Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë. Pas mos-ërmbushjes së obligimeve kontraktuale, AZhB-ja kishte kërkuar nga kompania që t’i kthejë mjetet që i kishte marrë si grant nga shteti.

Elhami Hajdari, kryeshefi i AZhB-së, thotë se kompania nga Prizrenit ‘Extra Fruits Fillings’ kishte lidhje me kompaninë “Concept Pro” me seli në Serbi, në të cilën drejtoreshë është gruaja e Nenad Rikalos, ministrit të Bujqësisë.

“Ky vendim i ministrit Rikalo vjen pas mospërkrahjes së kompanisë “Extra Fruit Fillings’, që ka marrëveshje me gruan e Rikalos, ‘Concept Pro ‘- ku përfaqësues është gruaja e Rikalos – Biljana Rikalo, kompani e cila ka qenë përfituese për projekte të zhvillimit rural në vitin 2015, por që kompania i ka kaluar të gjitha afatet kohore për implementimin e projektit dhe duke u bazuar në Programin, Udhëzimin Administrativ dhe kontratën, kësaj kompanie iu është kërkuar kthimi i mjeteve avans të dhëna më herët dhe për moskthim brenda afateve ligjore është proceduar në gjykatë”, ka thënë Hajdari për Gazetën JnK.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar me Biljana Rikalon, në numrin që ajo ka vendosur në biznesin e saj të regjistruar në Serbi. Pasi e ka dëgjuar pyetjen, ajo e ka ndalur telefonin e saj.

Gazeta disa herë e ka kontaktuar edhe ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo, por ai nuk i është përgjigjur thirrjeve të gazetës. Gazeta ka dërguar pyetje në Ministrin e Bujqësisë dhe tek ministri Rikalo, dhe është duke pritur përgjigje. Gazeta merr vesh që Biljana është gruaja e Nenad Rikallos, e cila është drejtoreshë e kompanisë “Concept Pro”, e regjistruar në Serbi.

Vendimi për super-ekspertizë

Gazeta Jeta në Kosovë ka kërkuar qasje në gjithë dosjen e rastit të kësaj kompanie nga MInistria e Bujqësisë, e cila i ka dhënë qasje. Në këto dokumente është edhe ankesa që ka bërë kompania “Extra Fruit Fillings”, në të cilën thuhet se një kompani nga Serbia ende nuk e ka furnizuar atë me mjete, përkundër pagesës së bërë ndaj saj. Por, aty nuk përmendet nëse bëhet fjalë për të njëjtën kompani.

Kryeshefi Hajdari përveç pretendimit për marrëveshjen në mes të Concept Pro dhe kompanisë nga Prizrenit “Extra Fruit Fillings” e ka dërguar edhe marrëveshjen e lidhur në mes këtyre dy kompanive. Kompania nga Prizreni kishte qenë përfituese e grantit prej 165 mijë eurove nga Ministria e Bujqësisë në korrik të 2015-tës.

Gazeta JNK ka kontaktuar pronarin e kompanisë “Extra Fruit Filling”, Ridvan Islamaj për të pyetur për marrëveshjen me “Concept Pro” si dhe nëse është kjo kompani që ia ka vonuar mjetet e punës përkundër pagesës që ai ia ka bërë. Ai fillimisht ka thënë se për këtë punë do të flas të premtën dhe e ka caktuar kohën për intervistim. Por, kur është kontaktuar më vonë për të njëjtën çështje, Islamaj ka thënë se nuk do të flas për këtë çështje.

“Çfarë deklarate, mos u merrni me këso sene palidhje, palidhje janë këto sene…. çka është? Kjo kam me ju qit në gjyq juve, çka janë këto pallavra kështu”, i ka thënë pronari i kompanisë JNK-së.

Madje i pyetur nëse do të flasë para kamere, intervistë e caktuar më parë, ai ka thënë se s’do të flasë ‘as nesër e as hiç kurrë’.

Rikalo kishte marr një vendim përmes të cilit e ka obliguar Agjencinë për Zhvillimin e Bizneseve që të bëjë një super ekspertizë grantin që i ishte ndarë kompanisë ‘Extra Fruit Fillings’. Në vendimin që e ka siguruar JnK, bazuar në kërkesën për qasje në dokumentet zyrtare, thuhet se i njëjti është marrë më datë 6 shkurt. Kjo kompani ishte fituese e një granti prej 164 mijë e 395 euro (50% e vlerës totale të projektit) për të cilën obligohej që brenda 12 muajve të kryente investimet e parapara me kontratë. Kompania kishte marrë si këst të parë (avans) 82 mijë e 180 euro.

Në përgjigjet e AZHB-së, dhënë Gazetës Jeta në Kosovë thuhet se “Extra Frut Fillings” me pronar Ridvan Islamajn ka qenë përfituese në Masën 103, nënmasa përpunimi i pemëve dhe perimeve nga programi i vitit 2015.  Por e njëjta nuk kishte arritur ta realizonte projektin sipas kontratës dhe planit të biznesit të paraqitur në kohën e aplikimit.

Vlera totale e projektit të kompanisë ishte 328 mijë e 790 euro, ndërsa AZHB kishte financuar 50% të projektit, rrjedhimisht 164 mijë e 395 euro.

Para kërkesës për super-ekspertizë AZHB i kishte bërë dy kontrolle kësaj kompanie. Pas kontrollit të dytë është marr vendimi për refuzim të projektit me arsyen për mos përmbushjen e obligimeve të kontratës.

“Në bazë të raportit nga terreni të datës 6 dhjetor 2016 shihet s investimet e parapara në projekt nuk janë përfunduar prandaj Divizioni i Autorizimit të Pagesave merr vendim për refuzimin e pagesës për këstin e dytë”, thuhet në vendimin e AZHB-së të cilin e postedon Gazeta.

Kompania është ankuar ndaj vendimit të agjencisë, por asaj i është refuzuar ankesa. Pas refuzimit të ankesës së kompanisë, agjencia kishte kërkuar që e t’i kthehen mjetet shtetit të cilat kompania i kishte marrë si paradhënie për realizimin e projektit. Por kjo e fundit nuk i është përgjigjur kërkesës për kthimin e mjeteve.

“Kompania nuk ju ka përgjigjur kërkesës për kthimin e mjeteve në afatin e paraparë andaj është iniciuar padi në Gjykatën Kompetente”, thuhet në përgjigjet gjënë JNK-së.

Konflikti i mundshëm i interesit

Por, pronari i kompanisë, Ridvan Islamaj ishte ankuar në agjenci me arsyetimin se fajin e ka një kompania me seli në Serbi, e cila ishte kontraktuar nga ta për blerjen e disa pajisjeve, por nuk i kishte sjellur ato me kohë.

“Ne kemi lidhur kontratë me firmën nga Serbia për furnizimin e pajisjeve sipas projektit dhe ua kemi paguar përmes llogarisë bankare për shërbimin dhe atë sipas afatit kohor i cili është konform kontratës për financimin e projekteve, Mirëpo për shkak të natyrës së punës për prodhimin e pajisjeve, kompania kontraktuese nga Serbia na e ka vonuar realizimin e furnizimit”, thuhet në ankesën e pronarit të kompanisë të cilin po ashtu e posedon Gazeta JNK.

Pronari në letrën e tij thotë se kanë iniciuar procedurat pranë organeve përkatëse në lidhje me mos respektimin e kontratës dhe mashtrimin nga kompania serbe. Ai asnjëherë nuk e përmend emrin e kompanisë.

Kur rasti ishte në gjykatë, kishte ardh kërkesa e ministrit Rikalo për super kontrollë për tri kompani, në mesin e të cilave është edhe  “Extra Fruir Fillings”.

Bazuar në këtë vendim, Kryeshefi i AZHB-së më 9 shkurt ka nisur super-kontrollën, e cila është e para që po bëhet për raste të tilla.

“Nuk është kërkuar super-kontroll në të kaluarën”, thuhet në përgjigjet e AZHB-së për gazetën Jeta në Kosovë.

Më pas kryeshefi i AZHB-së, Elhami Hajdari më 13 mars të 2018 i kishte dorëzuar raportin e ekspertizës ministrit Rikalo, ku vendimin paraprak e cilëson si të drejtë.

“Kontrolli në vend ngjarje i realizua më 13.02.2018 me vendimin tënd paraqet gjendje tjetër krahasuar me kontrollin paraprak marrë parasysh kalimin e një kohe të gjatë në mes të dy kontrollave”, thuhet në letrën e kryeshefit të AZHB-së.

Por, në dhjetor të vitit 2017, pasi Nenad Rikalo kishte ardhur në krye të ministrisë së Bujqësisë, kompania “Extra Fruit Filling” kishte kërkuar nga ministria që të caktoj një komision vlerësues për përmbushjen e objektivave.

“Kërkojmë nga Ministri i Bujqësisë de Zhvillimit Rural që të formoj një komision, i cili pas daljes në teren dhe shqyrtimit të shkresave do të vlerësojë drejtë përmbushjen e objektivave të projektit të planit të biznesit nga ndërmarrja jonë. Ky komision do ta vlerësojë se deri në sa % ndërmarrja jonë i ka përmbushur obligimet e parapara me projektin e financuar”, thuhet në kërkesën e kompanisë, përfaqësuar nga avokati i tyre.

Por, super kontrolli i datës 13 shkurt të këtij viti, të cilin e posedon Gazeta ka konstatuar se edhe pas tri vitesh nga marrja e grantit, kompania ende nuk ka furnizim me pajisje për Paketim Spiral 12d të cilin gjatë superkontrollit nuk e ka poseduar sipas raportit.

“Nga kontrolli i dytë paraprak i realizuar më 6 dhjetor 2016 dhe raportit të superkontrollit të realizuar më 13 shkurt 2018, ku subjekt ka blerë dhe futur në përdorim edhe tri makina të cilat i kanë munguar në raportin e dytë të inspektorëve”, thuhet më Superekspertizën e AZHB-së.

Bëhet fjalë për “makinë për zirejen e gjelatinës’, ‘makinën për zierjen dhe paketimin e fillit për fruta të imta’ dhe ‘makinën për bluarjen dhe grirjen e frutave në makinë me dy komore’.

Ndërsa, kryeshefi i AZHBS-së vendimin për suspendim e ka quajtur të jashtëligjshëm dhe ka thënë se nuk do ta respektojë.

http://kallxo.com/hajdari-nuk-i-bindet-vendimit-te-ministrit-rikalo-per-suspendim/