Mijëra Shqiptarë Protestojnë në Shkup

(E plotësuar) Sikur raporton korrespondenti i BIRN-it nga Shkupi, Sinisha Jakov Marushiq, protestuesit e mbledhur para ndërtesës së qeverisë, kanë thirrur “vrasës”.

Rreth orës 17, policia ka njoftuar se disa policë janë lënduar, tre nga ta seriozisht, pas përballjes me protestues.

Më herët, rreth orës 14:30, ishte raportuar se disa protestues kanë hedhur gurë, duke thyer disa xhama të ndërtesës qeveritare.

Raportohet se disa protestues janë përpjekur të çajnë rrethojat e vendosura përreth ndërtesës, ndërsa persona të tjerë nga turma po përpiqen të qetësojnë situatën.

Protestuesit para ndërtesës së qeverisë në Shkup | Photo: Sinisa Jakov Marusic

Numri i protestuesve vlerësohet në rreth dhjetë mijë veta. Ata kanë bërtitur “Allahu Ekber” (Allahu është i madh), “Gruevski (Kryeministri i Maqedonisë) është terrorist!” dhe “UÇK, UÇK”.

Më herët, rreth orës 14, protestuesit kishin kaluar para gjykatave në Shkupit, ku ka pasur gjuajtje me gurë dhe shufra metali, në drejtim të ndërtesës.

Në vendin e ngjarjes ka forca të shumta policore.

Korrespondentët e BIRN-it raportojnë se qindra njerëz janë mbledhur edhe në Gostivar, Tetovë e Kumanovë, qytete të banuara me shumicë shqiptare.

Pas orës 15, në Tetovë ishin të mbledhur rreth 700 njerëz në sheshin e qytetit kryesor, ata kanë kaluar para ndërtesës së gjykatës dhe janë ndalur para selisë së partisë shqiptare, pjesë e qeverisë, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI). Ata kanë thërritur: “Ne nuk jemi vrasës” dhe “BDI vrasës”.

Rreth orës 14:40, protesta në Kumanovë ka përfunduar, ndërkohë që një numër protestuesish janë nisur drejt Shkupit, për t’iu bashkuar protestës së atjeshme. Më herët, disa qindra njerëz ishin mbledhur para ndërtesës së gjykatës së këtushme.

Foto: Darko Duridanski

Rexhepi Skenderi, një prej organizatorëve të protestës i tha Balkan Insightit se protestuesit janë “njerëz të zakonshëm, të cilët nuk kanë asnjë mënyrë tjetër për të shprehur revoltën e tyre përveç përmes protestave paqësore”.

“Ne vetëm duam të shprehim revoltën tonë për mënyrën se si njerëzit e arrestuar u trajtuan dhe sesi gratë e ndaluara janë trajtuar”.

Sipas televizionit Kanal 5, Komuniteti Religjoz Islamik iu ka bërë thirrje besimtarëve myslimanë nëpër xhami, që të mos i bashkohen protestës së sotme.

Maqedonia Shton Vigjilencën Para Protestave Shqiptare

Policia po përgatitet për telashe para tubimeve të planifikuara të shqiptarëve kundër arrestimeve nga policia të të dyshuarve në lidhje me vrasjet e kohëve të fundit në Shkup.

Policia e Maqedonisë është vigjilente në kryeqytetin Shkup, Tetovë, Gostivar, Dibër, Strugë dhe qytetet të tjera ku aktivistë shqiptarë etnikë, duke përdorur Facebookun dhe Twitterin kanë lajmëruar se do të ketë protesta në rrugë, pas lutjeve të mesditës të premten.

Tubimet janë të drejtuara kundër arrestimeve të policisë të të ashtuquajturve islamistë radikalë, të kërkuar në lidhje me vrasjet e muajit të fundit të pesë personave afër Shkupit.

Presidenti maqedonas, Gjorgje Ivanov, tha se protestat do të lejohen, por “duhet të jenë të qeta dhe pa asnjë përdorim dhune”.

Ministrja e Policisë, Gordana Jankulovska, më herët paralajmëroi se “do të marrim të gjitha masat të mbrojmë rendin ligjore dhe sundimin e ligjit. Nëse dikush i thyen ligjet do të reagojmë dhe dënojmë ashpër”.

Nuk është e qartë se kush qëndron pas protestave. Të gjitha partitë etnike shqiptare në vend kanë mohaur përfshirjen.

“Organizatorët ndoshta kanë disa motive fetare [myslimane] dhe në këto momente të ndjeshme po përdorin ndjenjat fetare të personave”, tha analisti politik në Shkup, Gjuner Ismail.

“Ata më qëllime të këqija po manipulojnë këto ndjenja dhe nëse kjo vazhdon nuk do të isha i habitur nëse shkakton kundërprotesta nga komunitetit tjetër fetar, [krishterë ortodoks maqedonas]”, shtoi ai.

Maqedonasit po përgatisin mbështetje në rrjete sociale për një proteste para ndërtesës së qeverisë të shtunën “kundër terrorizmit” dhe në mbështetje për aksionin e policisë.

Më 12 prill trupat e  Filip Slavkovskit, Aleksandar Nakjevskit, Cvetanco Acevskit dhe Kire Trickovskit, të gjithë të moshave mes 18 dhe 20-vjeçare, u zbuluan më 12 prill afër Liqenit të Hekurudhës, në rrethinat veriore të kryeqytetit, destinacion i njohur peshkimi. Trupi i 45-vjeçarit Borce Stevkovski ishte në distancë të shkurtër nga pjesa tjetër.

Vrasja i rriti ndjeshëm tensionet etnike midis maqedonasve dhe minoritetit më të madh të shqiptarëve në vend, pasi fjalët u përhapën se vrasësit ishin shqiptarë.

Më 1 maj, policia arrestoi 20 shqiptarë etnikë në një operacion në një numër fshatrash rreth kryeqytetit në lidhje me vrasjet. Policia hodh akuza për terrorizëm dhe vrasje të pesë personave, tre prej të cilëve janë arrestuar.

Më 4 maj një mijë shqiptarë etnike dolën në rrugë pas lutjes së mesditës në Shkup, duke i akuzuar autoritetet se kanë portretizuar padrejtësisht shqiptarët si terroristë.

Disa protestues mbanin bluza me mbishkrime “Islami Fitimtar” dhe “Islami do të dominojë botën”. U raportuan përplasje të vogla me policinë, por askush nuk u dëmtua.