Raportoni Korrupsionin!

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
FLM!

RAPORTI JUAJ
ESHTE DERGUAR

Lumi i Shkatërrimit të Madh

Drini i Bardhë po shkatërrohet nga eksploatimi i gjatë i shtratit të tij për kuarc e zhavorr. Ai vazhdon të mos mbrohet nga institucionet e vendit që ngurrojnë përball fuqisë së pronarëve.

Degradimi i pamëshirshëm i Drinit të Bardhë, lumit më të gjatë në Kosovë, e ka vënë në spikamë vetëdijen e cekët ambientale në vend dhe moskokëçarjen e institucioneve përkatëse për ta mbrojtur atë. 

NDËRLIDHUR

I gjatë 122 kilometra, Drini ka vend përcaktues në estetikën natyrore të Rrafshit të Dukagjinit. Por përveç rëndësisë intrinsike të tij, shkatërrimi i hovshëm i shtratit të lumit dhe devijimet e tij po reflektohen në ekosistemin përkatës, dëmtimin e tokave pjellore, furnizimin me ujë dhe rreziqet e vërshimeve.

E tëra është pasojë e eksploatimit të egër, me ndihmën e teknologjive të rënda, për të marrë kryesisht kuarc, që përdoret gjerë në industri të shumta, e sidomos zhavorr i cili është treguar shumë i përdorshëm në ndërtimtari. Ndërtimi i gjithanshëm në Kosovë pas lufte, e para së gjithash në infrastrukturën rrugore, është vetëm një tregues se sa gjithëpërfshirës ka qenë ky degradim. Shpesh i njëjti zhavorr është blerë me paratë e buxhetit të vendit.

Ambientalisti Avdi Gjonbalaj thotë se intervenimi i autoriteteve në këtë lumë duhet të jetë hapi i parë në tejkalimin e ‘gjendjes paraapokaliptike në të cilën gjenden ujërat e Kosovës’.

Gjonbalaj theksoi nevojën që ka Kosova për ujë, ngase sipas tij, radhitet ndër shtetet relativisht të varfra në këtë drejtim, me vetëm 1500 metër kub ujë për banor. Kjo bëhet edhe më e rëndësishme në dritën e publikimeve të ndryshime shkencore që paralajmërojnë për thatësi në rritje në rajonin tonë shkaku i nxehjes globale. Kualiteti i ujit të Drinit të Bardhë në pjesën më të madhe të gjarpërimit të tij vlerësohet i kualitetit të parë.

Problem tjetër është se ekuilibri i lumit fillon të humbet në momentin kur futet ekskavatori  në të dhe fillon të gërryej. “Me nxjerrjen e rërës dhe zhavorrit ulet niveli i ujit nëpër lumenj. Lumi tenton ta kthejë ekuilibrin dhe kjo ndikon në rritjen e shpejtësisë së rrjedhjes së tij e cila shkakton gërryerjen e shtratit dhe devijimin e tij”, shpjegoi Gjonbalaj.

Ai tha se shembull ilustrues është shtrati i lumit Drini i Bardhë që kalon nëpër Piranë. Aty dhe deri te rruga që lidh Prizrenin me Gjakovën, mund ta shihet se lumi është gati sa ta shkatërrojë rrugën përskaj ngase shtrati i tij ka devijuar aq sa mund të paraqet rrezik edhe për popullatën.

Një raport i fundit të vitit 2010 për gjendjen e ujërave në Kosovë, lëshuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit hapësinor, theksoi degradimin e pakontrolluar të lumenjve dhe bregut të tyre. “Lumenjtë më të prekur nga kjo dukuri janë në pellgun e lumit Drini i Bardhë që është më së shumti i dëmtuar, pastaj lumi Ereniku dhe një pjesë e Lumëbardhit të Pejës.

Zona më e degraduar dhe që vazhdon të degradohet e Drinit të Bardhë gjendet në sektorin që fillon  nga  Kramoviku deri në fshatin Gjonaj. Ndërsa, në lumin Ereniku pjesa më e dëmtuar është sektori që fillon prej fshatit Korenicë e deri te Ura e Tabakut”, thuhet në raport.

Raporti nënvizon se degradimi i ‘inerteve ujore është bërë pa kriter qoftë në aspektin e ruajtjes së regjimit ujor, qoftë në atë të shfrytëzimit të lëndëve minerare’. “Si pasojë janë bartur nga plotat  sipërfaqe të tëra të tokave pjellore”, shtohet në raport, ku alarmohet për rrezikun e përmbysjeve. “Ndër faktorët kryesorë që shpijnë deri te përmbysjet janë shtretërit e parregulluar të lumenjve dhe dëmtimi i shtretërve të tyre nga eksploatimi pa kriter i rërës dhe zhavorrit”. 

Gjonbalaj po ashtu vë theksin tek ekosistemi i lumit. “Dalëngadalë do të mund të zhduket edhe bimësia me të cilën ushqehen peshqit, të cilëve po iu vështirësohet ripërtërija, sepse nuk do të kenë më ku t’i lëshojnë vezët e tyre për shkak të shkatërrimit që iu është bërë dhe vazhdon t’i bëhet shtratit”. 

Drejtori i Komisionit të Pavarur të Minierave dhe Mineraleve (KPMM), Azem Rexhaj, ka thënë se operacionet e nxjerrjes së rërës dhe zhavorrit nëpër lumenj janë të ndaluara me ligj dhe se Komisioni të cilin ai e udhëheq ka bërë  29 urdhëresa për ndalimin e këtyre punëve si dhe ka dërguar 170 raste në Prokurorinë e Shtetit për mospërfillje të këtyre urdhëresave.

Mirëpo, pavarësisht nga kjo, operatorët ilegalë vazhdojnë me biznesin e tyre të eksploatimit pa brenga të mëdha. 

Skënder Elshani, pronari i kompanisë ‘Egzoni’, në Piranë të Prizrenit, e kundërshton çdo mundësi parandalimi ende pa u marrë ndonjë vendim nga institucionet. “Nuk vjen në shprehje të ma konfiskojë dikush ekskavatorin të cilin e kam ble 50 mijë euro… Me atë punë mbaj familje”. 

Ai tha se nëse do të vijë nevoja është në gjendje t’u dalë makinave përpara vetëm e vetëm që të mos lejojë marrjen e eskavatorit të tij. “Nëse ata të Ministrisë kanë llogari të më marrin bashkë me ekskavatorin, le ta bëjnë këtë”, u shpreh Elshani.

Elshani ka bërë kërkesë për licencë në Komunën e Prizrenit, mirëpo ajo i është refuzuar me justifikimin se nuk lejohet eksploatimi i lumenjve. Ai tha se nuk ka se ku tjetër të punojë. “Le të më gjejnë një vend tjetër ku mundem të punojë, pra. Unë kam kërkuar disa herë leje prej komunës dhe nuk është e drejtë që ata nuk ma kanë dhënë atë. Andaj, nuk do të ndalem”. 

Koordinatori i Mjedisit në Prizren, Ramadan Tafallari, tha se nuk mund t’i japin licencë Elshanit për të operuar në lumin Drini i Bardhë, sepse ky i fundit po shkatërrohet tërësisht. 

Kësi hapash ka qenë e pazakontë të ndërmerren nga institucionet deri më tash. Inspektori, Mustafë Hyseni nga MMPH’ja nuk ishte në gjendje të tregonte sa herë inspektorët e kësaj ministrie kanë dalë në terren për të parë gjendjen e lumenjve dhe për të ndaluar punën operatorëve ilegalë. Ai insistonte se aktivitetet e tilla ishin të trashëguara nga periudha e paraluftës, se ishin serioze dhe nënvizonte sidomos mungesën e ‘zbatimit politik’. 

Ndoshta, megjithatë, zhurma e ekskavatorëve mund të mos dëgjohet më në shtratin e lumit Drini i Bardhë pasi dora e shtetit po paralajmëron se do të veprojë ndaj ngasësve të makinave të rënda. 

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor po përpiqet të nxjerrë një vendim për konfiskimin e ekskavatorëve përreth Drinit të Bardhë. 

Këshilltari politik në MMPH, Gazmend Avdiu, ka konfirmuar për Gazetën Jeta në Kosovë se tashmë është duke u punuar në draftin e këtij vendimi që shpresohet të fuqizohet para fillimit të sezonit të dimrit. Shkaku i vështirësive në terren, Ministria po planifikon edhe një fushatë vetëdijesimi në të cilën do të ceken edhe sanksionet në rast të moszbatimit. 

Sipas Avdiut, MMPH ka mbajtur një takim edhe me përfaqësues Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Drejtësisë, përfaqësues të Komisionit të Pavarur të Minierave dhe Mineraleve(KPMM) si dhe të Policisë së Kosovës duke u përpjekur të koordinojnë aksionin e shpëtimit të lumenjve. 

Ambientalisti Gjonbalaj nuk është shumë i bindur. Ai thotë se vetë Ministria nuk e ka treguar se e di rëndësinë e lumenjve të vendit dhe gjendjen e tyre reale. “Është e tmerrshme. Me përgjegjësi të plotë e them se në drejtim të përgjegjësisë institucionale, Kosova është në një gjendje katastrofale. Lumi Drini i Bardhë është dëmtuar aq shumë dhe ai nuk është i vetmi”.

Planet e ndonjë aksioni serioz po vështirësohen edhe nga fakti se pronarët e operatorëve ilegalë kanë fuqi të madhe politike që reflektohet në nxjerrjen e vendimeve nga institucionet e vendit. 

 

ETIKETA

25 Shtator 2011 - 1:46 pm

Leonora Aliu 25/09/2011 - 1:46 pm
NDËRVEPRIMI0
KOMENTE0