LDK Kërkon Ndëshkim Qytetar dhe Ligjor të Qeverisë

Lidhja Demokratike vlerëson se sistemi i gjykatave vazhdon të jetë i dëmtuar dhe me ndërhyrje politike, si në emërime ashtu edhe në punë.

“Kjo qeveri nuk ka moral politik dhe njerëzor, prandaj i duhet ndëshkimi qytetar dhe pastaj ndëshkimi ligjor”, ka thënë Arben Gashi nga LDK-ja, në konferencën e fundvitit, ku është vlerësuar puna e gjyqësorit në vend.

Gashi tha se gjatë këtij viti, në Kosovë ka pasur probleme me sundimin e ligjit dhe vendi është përballur me afera të shumta në fushën e drejtësisë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se sistemi i gjykatave vazhdon të jetë i dëmtuar rëndë, po ashtu vazhdon ndërhyrja politike në emërime dhe në punën e gjykatave, Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk ka arritur të kryej detyrat e veta si institucion i pavarur kushtetues dhe është sfiduar nga ndërhyrjet për emërime të gjyqtarëve dhe të kryetarëve të Gjykatave, kjo ka rezultuar edhe me emërime të kryetarëve të gjykatave në kundërshtime me ligjin”.

Hetimi, ndjekja dhe gjykimi i krimit nuk ka pas suksese, shkaktarët e mungesës së suksesit fillojnë nga lidhja e krimit me strukturat e shtetit të cilat janë qe ta zbatojnë sundimin e ligjit dhe shtetin e së drejtës, ka shtuar Gashi

Lidhja Demokratike vlerëson se dështim në qeverisjen Thaçi kanë të gjithë dikasteret, por në mënyrë te veçantë Ministria e Punëve të Brendshme, e cila gjatë vitit 2012 “shërbeu si flamurtar i skandaleve dhe keqqeverisjes në çdo aspekt të mundshëm”.

LDK i përmendi si rastet më të rënda në sistemin e sigurisë që u shënuan gjatë vitit 2012, intervenimin në veri të vendit pa planifikim dhe pa strategji që la një polic të Kosovës të vrarë dhe cenoi edhe më shumë sigurinë e shqiptarëve dhe qytetarëve të tjerë joserbë; lejimin e kidnapimit të policëve kosovarë nga xhandarmëria serbe, që ishte turpërim i Kosovës;  ndërhyrja politike në punë operative policore me intervenime të dhunshme në protestues; urdhrat e kundërligjshëm ndaj policisë për shtet-rrethim të kuvendit të Kosovës; keqpërdorimi nga MPB-ja i tenderit për municion dhe armatim; keqpërdorimi në tenderin e pasaportave; vjedhja e dhomës së dëshmive; vjedhja e më shumë se 20 kilogramë ari etj..

Deputeti i LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Arben Gashi, tha se duhet menjëherë të merren masa për “nxjerrjen e shtetit nga kthetrat e krimit të organizuar”.