Instituti i Historisë me Histori të Veten

Drejtori i Institutit të Historisë, Jusuf Bajraktari thotë se punimet në këtë ndërtesë, që gjindet në qendër të Prishtinës, kanë filluar që në vitin 2002, në një ceremoni ku kishte marrë pjesë ish Presidenti i Kosovës, i njderi Ibrahim Rugova.

“Dua të ju tregoj disa dokumente sepse kjo ndërtesë ka historinë e saj,” Bajraktari i tha Gazetës Jeta në Kosovë.

Ai paraqiti një sërë letrash të cilat i kishin dhënë leje për fillimin e ndërtimit të objektit i destinuar për institutin që ai drejton. 

Në atë kohë, qeveria e përkohshme e Kosovës ksihte ndarë fonde për ndërtim dhe punimet udhëhiqeshin nga ministria e arsimit. 

Por, me ardhjen e një qeverie të re në vitin 2007, planet ndryshuan. 

Në qershor 2008, qeveria e Kosovës vendos tjetërsimin e pronësisë, prej institutit të histories i kalohet Bibliotekës Kombëtare Universitare. 

Bajraktari thekson se ‘ky ishte një vendim arbitrar sepse qeveria nuk e kishte fare në agjendë këtë punë’. 

“Përveç kësaj, ne nuk ishim fare të konsultuar,” tha Bajraktari. Në të kohë, ministrinë e arsimit e udhëhiqte Enver Hoxhaj. 

Qeveria e Kosovës, në një takim të datës 31 Korrik, 2008, vendos që t’ia kalojë pronësinë Bibliotekës Kombëtare. 

“Këta që kanë marrë këtë vendim kanë fuqi të madhe politike dhe askush s’mund të bëjë asgjë,” Bajraktari i tha Gazetës JnK. 

Mirëpo, duke mos hequr dorë nga plani origjinal i vitit 2002, ministria krijon një komision për të gjetur një zgjidhje.

Komisioni kishte propozuar që 33 për qind e hapësirës prej 2, 700 metra katrorë të objektit, t’i ndahet institutit. 

“Hapësira është shumë e madhe për institutin”, thotë Ragip Gjoshi, këshilltar politik i ministrit të arsimit, Ramë Buja. “Instituti ka shumë pak staf për tërë këtë ndërtesë dhe në vitin 2008 është vendosur që ndërtesa të ndahet në mes institutit dhe bibliotekës dhe zgjidhja është shumë e mirë.” 

Bajraktari, i cili udhëheq 28 punëtorë, lë të kuptohet se e ka të vështirë të kthejë pronësinë e objektit dhe kërkon që ky kompromis të paktën të ndryshojë. 

“Ne duhet të ndajmë objektin me ndonjë institucion të përafërt me ne,” thotë ai duke shtuar se instituti i gjenocidit, i krijuar së fundmi, mund të ishte zgjidhja më e mirë. 

“Nuk mund të ndërrohet destinimi, plani projektues kësisoj. Kam kërkuar nga qeveria që t’a ndajmë hapësirën me institutin e gjenocidit,” pohon Bajraktari. 

Punimet e Pafundme Vazhdojnë

Kompania Tosi, nga Peja, ka nënshkruar kontratë në Dhjetor të 2009 për të filluar punimet e jashtme dhe të brendshme të ndërtesës, në vlerë prej 1.5 milion euro. 

Gjatë 2010, kompania kishte përfunduar punimet e jashtme dhe kishte vazhduar me punimet brenda objektit. 

Mirëpo, kryesuesi i departamentit të infrastrukturës, përbrenda ministrisë së arsimit, Besim Sofija tha se kompania i kryen punët bazuar në paratë e alokuara nga buxheti i ministrisë. 

Në vitin 2010, Tosi ishte paguar më shumë se 300,000 euro gjersa për 2011, ministria kishte dhënë rreth 421,000 euro. 

“Punimet kryhen në bazë të buxhetit të ndarë për këtë projekt dhe presim që punimet të përfundojnë gjatë vitit të ardhshëm,” Sofija i tha Gazetës Jeta në Kosovë.