Komuna e Gjilanit, Foto: Komuna e Gjilanit

‘Harrnimi’ i Gjilanit Përmes Punësimeve të Dyshimta

Komuna e Gjilanit i ka punësuar 34 persona me kontratë mbi vepër.

Punësimi i tyre është bërë përmes një konkursi publik, i cili nuk ka prodhuar asnjë risi.

Përkundër konkursit, kjo Komunë i ka punësuar personat e njëjtë të cilët ishin të angazhuar edhe gjatë vitit të kaluar me “kontrata mbi vepër” në këtë komunë.

Në mesin e të punësuarve ka edhe persona që e kanë pranuar se janë përkrahës të kryetarit të Komunës së Gjilanit.

‘Konkursi’

Në konkursin e shpallur më 11 janar të vitit 2018, Komuna e Gjilanit kërkoi punëtorë në fusha dhe drejtori të ndryshme, si: inxhinierë, inspektorë, menaxherë e asistentë etj. Ata janë angazhuar për një periudhë pesëmuajshe,

Sipas Ligjit për Shërbyesit Civilë, Marrëveshjet për Shërbimet të Veçanta lidhen për ‘pozitat e nëpunësve civilë të jo karrierës – të cilët ushtrojnë funksionet me kohëzgjatje të kufizuar deri në dy (2) vjet, për zbatimin e projekteve të caktuara, zëvendësimi i përkohshëm i nëpunësve të përhershëm civilë dhe në raste të mbingarkesave në punë’.

Ibrahim Ademi, zyrtar për Informim në këtë Komunë tha se janë bazuar pikërisht në këtë Ligj për të lidhur kontratat mbi vepër.

“Personat në fjalë nuk janë angazhuar me kontratë të përhershme pune, sepse nuk kemi pozita të lira të punës në shërbimin civil komunal dhe numri i shërbyesve civil është i limituar mbi bazën e Ligjit për buxhet dhe si i tillë nuk mund të tejkalohet”, tha Ademi.

Disa prej këtyre pozitave  që janë të ushtruara nga shërbyes civil të rregullt, sipas Ademit, kanë mbetur vakante pasi 24 shërbyes civilë të kësaj komune janë të pezulluar pasi ndaj tyre është ngritur aktakuzë në vitin 2016 për krim të organizuar dhe shpërdorim të detyrës zyrtare.

Po ashtu në vitin 2017, dy shërbyes tjerë civilë u pezulluan pasi nga Prokuroria e Shtetit akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

E konkursi i shpallur të fillim të këtij viti nuk ka sjellë asnjë risi, pasi Komuna e pranon se personat e njëjtë kanë qenë të angazhuar edhe në vitin 2017. Kjo po konsiderohet rastësi nga ana e zyrtarit për Informim edhe pse konkursi ka prodhuar rezultate të njëjta.

“Ju njoftoj se të njëjtit kanë qenë të angazhuar edhe në vitin 2017 për një periudhë kohore 4 mujore dhe pas skadimit të periudhës së angazhimit, prapë ne kemi ndjekur procedurat përzgjedhëse përmes shpalljes publike, pra konform ligjit siç është cekur më sipër e nuk ua kemi vazhduar kontratat me automatizëm”, deklaroi Ademi.

Madje ai tha se këto angazhime kanë qenë si pasojë e nevojës së Komunës për ‘arnime’ në punë.

“Ky angazhim është me qëllim të mbulimit të boshllëqeve të cilat na janë shfaqur në procesin e punës e të cilat na kanë sjellë mjaft probleme, sepse është vështirë që të zëvendësohet një nëpunës civil me një të angazhuar dhe të arrihen rezultatet e duhura për çdo pozitë. Thjesht me këtë angazhim ne po ‘harrnohemi’ në punë”, tha Ademi.

Dyshimet për Punësime Politike

Të paktën dy persona të angazhuar përmes konkursit të lartpërmendur në Komunën e Gjilanit kanë qenë të përfshirë në fushatën zgjedhore të Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e fundit lokale.

Përveç se personat e angazhuar me ‘Kontrata mbi Vepër’ kanë ‘ripërtërirë’ kontratat e tyre, disa prej tyre kanë qenë përkrahës të kryetarit të zgjedhur, Lutfi Haziri.

Në profilin në “Facebook” të Edon Shkodrës dhe Bekim Mustafës të kontraktuar përmes këtij konkursi shihet afërsia e tyre me kryetarin Haziri.

Edon Shkodra, i pranuar në pozitën ‘Inxhinier i Hidros’,  në profilin e tij në ‘Facebook’ e tij ka postuar fotografi me Hazirin pas rezultateve të zgjedhjeve lokale në nëntor të vitit të kaluar.

“Gazeta Jeta në Kosovë” i ka drejtuar pyetje Shkodrës lidhur me punësimin e tij dhe i njëjti ka pranuar se ka qenë pjesë e fushatës si dhe që është përkrahës i Lutfi Hazirit.

Megjithatë ai tha se kjo nuk ka ndikuar në punësimin e tij.

“Po kam qenë edhe unë si çdo individ i përfshirë në zgjedhje, po ashtu kam qenë përkrahës i Lutës (Lutfi Haziri), mirëpo sa i përket anës së punësimit nuk më ka ofruar përparësi aspak, sepse komisioni ka vendosur për pranimin e kandidatëve si dhe vlerësimin nga ta”, tha Shkodra. Ai ka thënë se në të kaluarën ka qenë i angazhuar në Komunën e Gjilanit vetëm si praktikant.

Ai tregoi se kualifikimi i tij është titulli Bachelor në drejtimin Hidro-Teknik dhe është në studimet master.

Ngjashëm edhe Bekim Mustafa i angazhuar si ‘Inxhinier i Ndërtimtarisë’ në profilin e tij në “Facebook” ka bërë shpërndarjen e materialeve të fushatës së LDK-së në Gjilan.

“Gazeta Jeta në Kosovë” ka tentuar të kontaktojë edhe Mustafën përmes “Facebook”-ut, por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje në kërkesën tonë.

Sipas nenit 16 të Ligjit për Shërbyesit Civil, “nëpunësit civilë nuk mund të mbajnë pozita drejtuese në parti politike dhe të jenë aktiv politikisht’.

11 Mars 2018 - 19:28

Doruntina Baliu 11/03/2018 - 19:28
NDËRVEPRIMI17
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend