Fjalët e para të Visar Ymerit si ‘social-demokrat’

Nënkryetari i zgjedhur i Partisë Social Demokrate, Visar Ymeri, tha sot se kjo parti do të angazhohet në drejtim të “barazisë dhe mirëqenies” së qytetarëve.

“I dashur kryetar i Partisë Social Demokrate, Shpend Ahmeti, shoqe e shokë social demokratë”, ishin fjalët e para të Visar Ymerit në cilësinë e nënkryetarit të PSD-së.

Ymeri iu referua ngjarjes si “pas-kuvend”.

“Kemi zgjedhur kryetarin, Shpend Ahmeti dhe disa organe tjera të PSD. Mendoj që kjo është një ditë e madhe për ne dhe gjithë ata që i ndajnë vlerat e barazisë dhe mirëqenies.

“Duhet të jemi demokratë për së brendshmi dhe të insistojmë që kjo republikë dhe kjo ekonomi të jetë në shërbim të shoqërisë. Këto janë gjërat që neve na bëjnë bashkë dhe këto janë gjërat që i duhen më së shumti Republikës së Kosovës. Social demokracia është reformë e sistemit politik të korruptuar dhe ekonomi që punon për të gjithë, e jo vetëm për ata që kanë”, tha Ymeri.

Deri në fillim të këtij viti, Ymeri për tri vite ka qenë kryetar i Lëvizjes Vetëvendpsje por u largua nga ajo pas përplasjeve të brendshme.