Familja Mazrekaj ia Fal Gjakun Familjes Sadikaj

Ambientet e Komunës së Deçanit sërish janë shfrytëzuar për një pajtim mes familjeve të kësaj ane.

Burri në moshë, Qazim Mazrekaj, nga Dranoci, ia ka shtrirë dorën e pajtimit dhe i ka falur gjakun e dy fëmijëve të tij familjes Sadikaj nga Ratishi.

Tafil Mazrekaj dhe Lumnije Mazrekaj-Gashi kishin humbur jetën në aksidentin, të cilin e kishte shkaktuar një djalë i familjes Sadikaj më 14 janar 2013.

Njëri ndër iniciuesit e këtij pajtimit, kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve në Deçan, Mic Muqaj, këtë gjest të familjes Mazrekaj e ka quajtur akt heroik.

“Qazim Halit Mazrekaj i liron dy familje, të veten dhe të dhëndrit të tij, nga ethet e hakmarrjes.  E liron Sadri Shabanin nga Ratishi nga ethet e gjakut”, tha Muqaj.

Ceremonia e pajtimit mes dy kryefamiljarëve u bë në prani të kryetarit të Komunës, Rasim Selmanajt.

I kapluar nga emocionet pasi fali gjakun e dy fëmijëve të tij, Qazim Mazrekaj tha për KALLXO.com se nuk ishte e lehtë për të si prind të merrte ketë vendim, por pajtimi ishte zgjidhja ma e mirë.

“Si babë e paçin faqen e bardhë. Ne duhet m’u mbajtë, ndryshe nuk bon. Se Zoti e ka shkru, çka vjen prej Zotit mirë se ardhtë”, tha ai.

Kurse, Sadri Sadikaj, tha se ndjen dhimbje të madhe për atë se çfarë ka ndodhur katër vite më parë.

Për KALLXO.com ai tha se edhe familja e tij do ta shtrinte dorën e pajtimit nëse do t’i ndodhte rast i njëjtë.

“E kemi dhimbjen krahas me ta, 50 e kanë ata, 50 e kemi na. Kurrë nuk e harrojmë këtë dhimbje të tyre edhe të familjes se tyre. Edhe me pasë ndodhë e kundërta pa u bo burrë me ju shtri dorën s’e kisha lanë”, tha Sadikaj.

Edhe në nëntor të vitit të kaluar familja Malaj nga Strellci ia shtriu dorën e pajtimit familjes Lufaj dhe ia fali gjakun e djalit.

Ceremonia po ashtu ishte zhvilluar në ambientet e Komunës së Deçanit.

http://kallxo.com/malajt-e-strellcit-falin-gjakun-ne-komune/