“Drejtësia në Kosovë” Nxjerr në Blof Gjykatësit

Emisioni i ri i “Drejtësia në Kosovë” që u transmetua më 14 tetor solli pjesën e dytë të hulumtimit që zbuloi skandalin më të madh në sistemin e drejtësisë në 16 vitet e fundit.

Në këtë hulumtim u dëgjuan dëshmitë se si institucionet e drejtësisë nuk e kishin vërejtur Nenin 29 të Kushtetutës së vendit, i cili parasheh që dënimi me burg të shqiptohet vetëm për veprat penale dhe jo për vepra të kundërvajtjeve.

Asnjëri prej kryetarëve të Gjykatave Themelore nuk kanë pranuar të flasin para kamerave për skandalin e zbuluar nga “Drejtësia në Kosovë”.

Në emision u fol edhe për reagimin e menjëhershëm të Gjykatës së Apelit, pas transmetimit të hulumtimit të parë të “Drejtësia në Kosovë” ku u zbulua se për tetë vjet u janë shkelur të drejtat kushtetuese rreth 8 mijë qytetarëve nga ana e gjykatave të vendit.

Kreu i Këshillit Gjyqësor të Kosovës Nehat Idrizi, e pranon se situata e krijuar do të ndikojë në humbjen e besimit të qytetarëve në gjithë sistemin e drejtësisë.

Poashtu në emision foli gjyqtari i cili ka dërguar njoftim te të gjitha gjykatat që mos e dërgojnë në burg asnjë person derisa të mos vendosë për këtë çështje Gjykata Supreme.