Foto Djegia e Kontenjereve

Digjen kontejnerët, Prishtina Rrezikon të Mbulohet nga Mbeturinat

Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi”, ka ngritur alarmin lidhur me djegien e kontejnerëve në Prishtinë. Përmes një komunikate, kjo kompani ka bërë të ditur se dukuria e djegies së kontejnerëve nuk ka të ndalur që nga vendosja e tyre nëpër pikat përkatëse për hedhjen e mbeturinave, të cilët “po vazhdojnë të digjen dhe shkatërrohen nga qytetarë të pa përgjegjshëm”.

Kompania “Pastrimi”, njofton se nuk ka mundësi të bëjë zëvendësimin e kontejnerëve të djegur dhe si rezultat i kësaj qyteti mund të bëhet kaos i mbeturinave. Që nga vendosja e kontejnerëve të plastikës, nga fundit i vitit 2016 e deri më tani janë djegur afro 50 kontejnerë të plastikës.

“Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi”, Sh.A-Prishtinë njofton opinionin publik për gjendjen alarmante e cila është krijuar nga djegia e  kontejnerëve të plastikës që po vazhdon të përsëritet tash e sa muaj në qytetin e Prishtinës. Me dt. 26.07.2017 në orët e vona , në Rr. “Dëshmorët e Kombit”, është djegur 1- kontejnerë i shërbimit të mbeturinave, ndërsa  2-kontejnerë të tjerë në Rr. “Fehmi Lladrovci”. Ndërsa, me dt. 27.07.2017 janë djegur edhe 6-kontejnerë të tjerë, 1-kontejnerë në Rr. “Galibardi”, ndërsa 5 të tjerë te parkingu mbrapa Postës së Madhe”, thuhet në njoftim.

“Kërkojmë nga qytetarët të jenë të kujdesshëm në ruajtjen e kontejnerëve si dukuri negative e cila duhet të dënohet, ndërsa institucionet kompetente, të cilat në bazë të përgjegjësisë së tyre të marrin vendimet e duhura për parandalimin e kësaj dukurie”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga kompania Pastrimi.