Pamje nga gjykimi i Naser Kelmendit - Foto: KALLXO.com

Dëshmitari nga Bosnja Nuk e Identifikon Naser Kelmendin

Hajrudin Mujagiq ishte dëshmitari i radhës i ftuar nga prokurori Andrew Hughes në gjykimin e Naser Kelmendit që po akuzohet për vrasje, krim të organizuar dhe shitje të narkotikëve.

Mujagiq dëshminë e dha nga Bosnja përmes video-linkut.

Dëshmitari tha se kishte punuar si shofer i personit të njohur me shifrën K2, i cili po ashtu  është dëshmitar i mbrojtur i Prokurorisë në këtë gjykim ndërsa në procese të tjera gjyqësore është  i dënuar.

Emra të ndryshëm u shpërfaqën gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarit nga prokurori Hughes, por ai asnjherë nuk e përmendi emrin e të akuzuarit Naser Kelmendi.

Relevanca e këtij dëshmitari ishte të dëshmojë për një sasi të drogës të përzier me kafe, më herët të përmendur nga dëshmitarët e mbrojtur K1 dhe K2 por Mujagiq në asnjë moment nuk tha se Naser Kelmendi të ketë pasur ndonjë rol në këtë çështje.

http://kallxo.com/deshmitari-i-mbrojtur-flet-per-rrugen-e-droges/

Për më tepër kur prokuroi Hughes i shfaqi disa fotografi me disa persona, ndër ta edhe Naser Kelmendi, dëshmitari nuk arriti ta identifikojë Kelmendin.

Pyetje dëshmitarit Mujagiq i parashtroi edhe avokati i Kelmendit, Besnik Berisha.

“A ke dëgjuar ndonjëherë që emri i Naser Kelmendit të përmendet në bisedat e K1 gjatë gjithë kohës që I keni shërbyer si shofer?”, ishte pyetja e avokatit Berisha për dëshmitarin Mujagiç, i cili i bindur u përgjigj me një “jo”.

Avokati i Kelmendit, Besnik Berisha tha se mashtrimin e dëshmitarit K2 lidhur me sasinë e drogës së përzier e kishte bërë një anëtar i familjes së dëshmitarit K1, ndërsa prokuroria në bazë të teorisë së dëshmitarit K2 e ngarkon Naser Kelmendin për këtë.

Naser Kelmendi është duke u gjykuar për vrasje të rëndë, krim të organizuar, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike që nga viti 2015.

KALLXO.com ka raportuar vazhdimisht nga seancat gjyqësore.Raportet mund t’i gjeni në këtë link.

Redaktoi: Naser Sertolli