I Dënuari Ankohet për Kushtet në Qendrën për Punë Sociale

Fahri Krasniqi nga Prishtina i dënuar rishtazi nga Gjykata Themelore në Prishtinë me gjashtë muaj burgim me kusht ankohet se në Qendrën për Punë Sociale në Prishtinë nuk kishte kushte elementare për kontaktim.

Krasniqi është dënuar për shkak të mospërfilljes së një vendimi të gjykatës me të cilin ai ka qenë i detyruar që një herë në muaj në Qendrën për Punë Sociale në Prishtinë, ish-bashkëshortes së tij N.K t’ia dërgojë fëmijët për kontaktim.

Por ai po pretendon se arsyeja se pse ai kishte ndërprerë kontaktin në qendrën për punë sociale ishte sepse aty nuk kishte pasur kushte elementare për kontaktim.

Krasniqi thotë se temperaturat në objektin që gjendet në Prishtinë kishin qenë shumë të ulëta dhe se në mungesë të ngrohjes, shëndeti i fëmijëve ishte përkeqësuar kur i kishte dërguar atje.

“Shpeshherë nuk kanë qenë kushtet elementare për kontakt, ka qenë ftoftë nuk ka pasur kushte, mos me i çu fëmijët. Më kanë akuzu dhe kështu që jam detyrua me i çu fëmijët edhe pse ju ka përkeqësu gjendja shëndetësore shpesh herë fëmijëve”, tha Fahri Krasniqi për KALLXO.com.

Ai po ashtu thotë se kishte pasur edhe presion nga bashkëshortja e tij me të cilën tashmë jetojnë të ndarë, e cila ditën e kontaktimit e kishte ndjekur atë gjatë gjithë rrugës dhe nuk e kishte pritur në Qendrën për Punë Sociale.

“Kur kam dalë nga qendra, ajo më ka bërë presion nonstop më ka ardhë pas fëmijëve tu më ba presion. Fëmija gati kanë dalë në rrugë me i shkelë vetura edhe i kam tërheqë vërejtjen punëtorit të socialit por ai s’ka ndi për këtë punë, ia kam tërheq vërejtjen i kam thënë se unë e ndërpres kontaktin krejt edhe nuk i bi fëmijët për arsye se edhe nuk po ka kushte”, shton ai.

Krasniqi madje përmendi edhe një rast tjetër që kishte shkuar në QPS kur tha se temperaturat kishin qenë minus njëzet gradë dhe se qendra nuk kishte pasur ngrohje. Kur ai thotë se kishte dashur ta ndërpres kontaktin shkaku i të ftohtit, një punëtor social aty ia kishte mbyllur derën dhe nuk e kishte lënë të largohej.

Fahri Krasniqi tha se fëmijët janë ndjerë shumë keq dhe se ai i kishte thënë punëtorit social se në mungesë të kushteve ai do të ndërpresë kontaktimin pa marrë parasysh aktakuzat të cilat po i ngriten.

“Unë i kam katër-pesë aktakuza për mos përfillje të gjykatës. Më është dashur që ta ndërpres disa herë kontaktin e fëmijëve për shkak mos me u ndi fëmija keq, fëmija atë ditë që shkojshin në qendër nuk u ndihshin mirë që kishin presion e krejt gjithë natën nuk rehatojshin”, tha ai

I kontaktuar nga KALLXO.COM, udhëheqësi i Qendrës për Punë Sociale Fatmir Baftiu tha se në këtë qendër ka ngrohje dhe janë kushtet shumë të mira për kontaktim.

Sipas Baftiut, ata madje ia mbulojnë edhe shpenzimet Fahri Krasniqit me të vetmin qëllim që ai t’i sjellë fëmijët për kontaktim.